Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh sot në një intervistë televizive se Shqipëria, shqiptarët, shoqëria, ekonomia, shteti, e ardhmja e vendit nuk mund të jenë në mëshirën e një trekëndëshi i cili për një kohë kaq të gjatë, sipas tij, ka diktuar me mjete politike dhe jopolitike ecurine e shoqërisë.

“Jemi me të vërtetë në një cikël të stërzgjatur tranzicioni krahasuar me vendet e tjera, por gjykoj se lajmi i mirë është që asgjë nuk është e përjetshme, edhe ky cikël tranzicioni duhet të marrë fund. Dhe përjekja jonë, përpjekja e Partisë Demokratike, por besoj dhe me një aleacë shumë të gjerë vlerash, jo thjesht një aleancë politike, është që ta mbyllim derën e tranzicionit në mënyrë që gjeneratat e reja të shqiptarëve të kenë mundësinë si fqinjët tanë të gëzojnë një kulturë të re politike dhe përmes kësaj frytet e kësaj kulture të re politike, që do të thotë një standard tjetër jete, ekonomik, komunikimi shoqëror e të gjithëanshëm”, u shpreh ai

Basha foli edhe për ndarjen e grupit parlamentar të PD-së.

“Ka deputetë të cilët shqetësohen për fatin e tyre personal, më shumë se shqetësohen për fatin e Partisë Demokratike dhe fatin e Shqipërisë, duhet ta themi këtë. Dhe duket për një moment sikur basti më i sigurtë është të jenë në listën e sigurtë të zotit Berisha me stemën e zotit Meta. E kanë gabim. Ka deputetë të tjerë të cilët llogaritë i bëjnë me Partinë Demokratike, i bëjnë me opozitën shqiptare dhe me interesat e shqiptarëve”, tha Basha./ata