CNN i ka dedikuar një artikull të gjatë tërmetit 7.4 ballë që goditi Tajvanin dy ditë më parë duke shkaktuar vdekjen e 12 personave, ndërsa 700 të tjerë raportohet të kenë mbetur në gërmadha. Por edhe pse intensiteti i goditjes është i një fuqie shkatërrimtare, dëmet në jetë njerëzore, por edhe materiale janë në disproporcion me goditjet me intensitet të ngjashëm në të kaluarën këtë vend, por edhe në shtete të tjera. Ndërtimet cilësore, reagimi i shpejtë i forcave të shpëtimit dhe trajnimi i popullsisë për të tilla fatkeqësi që për nga bilanci sjellin pasoja të një shkatërrimi masiv në kosto njerëzore dhe materiale. Por Tajvani ia doli dhe përgjigjja është këtu.
Çfarë mësuam nga tërmeti i Tajvanit/ CNN
Wu ishte duke përgatitur mëngjesin për klientët në hotelin e vogël që ai drejton në kontenë Hualien të Tajvanit kur raftet rreth tij u drodhën fuqishëm dhe mali pas shtëpisë së tij nisi të gjëmonte. Nga frika se ndërtesa do të shembej, ai i çoi mysafirët e tij në një vend të sigurt. Përtej lumit, nga malet rrëshqiteshin shpatet e thepisura, ndërsa retë e pluhurit ngriheshin në ajër.
Por shtëpia e Wu pësoi pak dëmtime nga lëkundjet e së mërkurës me magnitudë 7.4 ballë, më i fuqishmi që ka goditur Tajvanin në 25 vjet, diçka që ai ia atribuon masave që janë marrë për ta bërë ishullin më rezistent ndaj tërmeteve.
“Qeveria jonë kreu një rishikim gjithëpërfshirës të kodeve të ndërtimit pas tërmetit të vitit 1999 dhe të gjitha ndërtesat që ngrihen duhet të përdorin teknologji të reja që i bëjnë ato më elastike ndaj tërmeteve,” thotë ai.
Pesëmbëdhjetë vjet më parë, kur filloi të ndërtonte bujtinën e tij dykatëshe pranë hyrjes së grykës së Tarokos – një park kombëtar i famshëm për kanionet e tij të pjerrëta me mure mermeri – Wu duhej të merrte miratimin e qeverisë përsa i takon kushteve që duheshin përmbushur ndaj tërmeteve.
Dhe ekspertët thonë se ndryshime si ky e kanë ndihmuar ishullin ndaj dridhjeve sizmike të shmangë viktimat e tërmeteve shkatërrimtare si ai që goditi të mërkurën.
“Ndihem shumë me fat,” thotë Wu për dëmet jashtëzakonisht të ulëta të shkaktuara nga tërmeti masiv. “Nuk është shumë keq”.
Tërmeti i së mërkurës ishte me intensitet më të madh nga çdo tërmet tjetër që nga viti 1999, kur një tërmet me magnitudë 7.7 goditi ishullin, duke vrarë 2,400 njerëz dhe duke plagosur 10,000 të tjerë.
Por këtë herë, numri i viktimave është shumë më i ulët. Deri të enjten, 12 njerëz ishin vrarë dhe pak më shumë se 1,000 u plagosën, ndërsa disa mbeten të zhdukur, sipas autoriteteve.
“Është një rezultat i mrekullueshëm,” tha Daniel Aldrich, një profesor i shkencave politike dhe politikave publike në Universitetin Northeastern, i cili studion qëndrueshmërinë e qyteteve, duke e quajtur numrin shumë të ulët të vdekjeve nga një tërmet i fortë dhe i fuqishëm pranë një zone urbane”.
“Fatkeqësitë e tjera rreth 7.5 (magnitudë) kanë shkaktuar shumë më tepër viktima sesa kemi parë deri më tani në Tajvan,” tha ai, duke përmendur dhjetëra mijëra vdekje gjatë tërmeteve të mëparshme në Haiti, Indi dhe Kinë.
“Ne jemi rritur me tërmete”
Tërmeti i së mërkurës goditi bregun lindor rural të Tajvanit. Perëndimi i ishullit është vendi ku jetojnë shumica e njerëzve, shtëpia e qyteteve më të mëdha, një rrjet i gjerë hekurudhor me shpejtësi të lartë dhe pjesa më e madhe e qendrës industriale.
Shumica e shkatërrimeve – dhe vdekjeve – ndodhën në zona të largëta rurale në rajonin Hualien.
Por edhe ata që humbën jetën ndodhi si rrjedhojë e rënies së gurëve dhe rrëshqitjes së dheut. Katër nga viktimat ishin duke ecur në Grykën Taroko, katër vdiqën në autostradat malore dhe një tjetër ishte duke punuar në një gurore, sipas autoriteteve.
Masat e marra nga Tajvani për gatishmëri ndaj tërmeteve vjen nga mësimet e nxjerra nga tërmeti shkatërrues 25 vjet më parë, thonë ekspertët.
Kur tërmeti goditi në vitin 1999, Tajvani ishte shumë i papërgatitur, tha Aldrich, duke përmendur korrupsionin në industrinë e ndërtimit, mungesën e rregulloreve të ndërtimit dhe koordinimin e pamjaftueshëm në përpjekjet e ekipeve të shpëtimit.
Ai tërmet la më shumë se 100,000 ndërtesa në të gjithë Tajvanin të shembura plotësisht ose pjesërisht, duke përfshirë gati 300 shkolla. Ndërtesat u rrafshuan gjithashtu në kryeqytetin Taipei, rreth 100 milje nga epiqendra e lëkundjes.
“Ajo që ne kemi parë që atëherë janë përmirësime masive në të gjithë sistemin, atë që unë do ta quaja një grup përgjigjesh nga lart-poshtë”, tha Aldrich duke iu referuar punës që është bërë nga autoritetet për të disiplinuar ndërtimet e reja me kushte dhe rregulla teknike të kohës.
Nga lart poshtë, qeveria forcoi ligjet e menaxhimit të fatkeqësive, përmirësoi koordinimin për shpëtim dhe ndihmë dhe zbatoi kode më të rrepta ndërtimi për rezistencën ndaj tërmeteve.
“Ata kanë vendosur gjoba dhe gjoba të rënda për firmat e ndërtimit për cilësinë e punimeve të objekteve. Dhe ka pasur një investim vërtet serioz në të gjitha ndërtesat e reja“, tha Aldrich.
Shembulli i Tajvanit
Qeveria nisi një fushatë për të vlerësuar, rinovuar ose rindërtuar ndërtesat publike për të rritur aftësinë e tyre për t’i bërë ballë tërmeteve më të forta, me shkollat që janë prioritet. Fushata që atëherë është shtrirë në ndërtesa private, të tilla si ajo e Wu’s.
21 shtatori – data kur goditi tërmeti vdekjeprurës në vitin 1999 – tani është një ditë e caktuar për stërvitjet e fatkeqësive në Tajvan, me mesazhe sinjalizuese të dërguara në telefonat celularë në të gjithë ishullin dhe shkollat që organizojnë ushtrime evakuimi.
Kryetari i bashkisë së Hualien, Wei Chia-yen, ia atribuon numrin relativisht të ulët të vdekjeve në qytetin e tij përgatitjes së avancuar.
“Këtu në Hualien, ne u rritëm me tërmete,” tha ai brenda një gjimnazi të kthyer në strehë brenda disa orësh nga tërmeti.
Për banorët shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar apo që kanë frikë të kthehen për shkak të lëkundjeve të mëtejshme, janë vendosur rreshta çadrash, ndërsa mbi tavolina janë shpërndarë kuti me ushqime dhe pije.
Vetë Wei u plagos nga një objekt që i ra në këmbën e tij të majtë dhe po përdorte paterica për të kaluar nëpër strehë.
“Mësuesit dhe të afërmit tanë gjithmonë na kanë mësuar se si të reagojmë kur godasin tërmetet,” tha ai. “Pra, ne e kemi ditur për këtë që kur ishim fëmijë”.