Të paktën 94 persona kanë humbur jetën dhe 168 të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore që ushtria izraelite ka kryer në pjesë të ndryshme të Libanit gjatë ditës së fundit.

Në një deklaratë me shkrim të Ministrisë së Shëndetësisë të Libanit, është dhënë informacion lidhur me humbjet e jetëve në 24 orët e fundit në sulmet ajrore të vazhdueshme të Izraelit.

Në provincën Nabatieh në jug të vendit humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 42 persona, ndërsa 14 persona humbën jetën dhe 38 të tjerë u plagosën në provincën jugore, sipas ministrisë.

Gjithashtu 23 persona kanë humbur jetën dhe 30 të tjerë janë plagosur në sulmet ajrore në rajonin Beqaa në lindje të Libanit.

Në sulmet e Izraelit në rajonin Baalbek Hermel bëhet e ditur se kanë humbur jetën 25 persona dhe janë plagosur 14 të tjerë.

Ushtria izraelite ka vënë në shënjestër nga ajri edhe rajonin Jabal Libanon ku 4 persona kanë humbur jetën dhe 29 të tjerë janë plagosur.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se 2 persona humbën jetën dhe 15 të tjerë u plagosën në sulmin ajror të Izraelit në lagjen Dahieh të kryeqytetit Bejrut.

 

- Në sulmet e intensifikuara të Izraelit në Liban kanë humbur jetën 748 persona

Ushtria izraelite e cila që nga 8 tetori vazhdon konfliktet e kontrolluara me Hazbollahun, më 23 shtator kreu qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit si dhe në rajonet Beqaa dhe Baalbek.

Sipas autoriteteve libaneze, 748 njerëz janë vrarë në sulmet ajrore në rritje, ndërsa rreth 150 mijë persona janë zhvendosur brenda vendit për shkak të bombardimeve.

Ndërkohë Hezbollahu i përgjigjet me sulme raketore bombardimeve intensive të vazhdueshme nga ushtria izraelite kundër rajoneve jugore dhe lindore të vendit. Nuk u raportuan dëme të mëdha në këto sulme, të cilat kryesisht kishin në shënjestër bazat e ushtrisë në anën izraelite.

Teksa vala e migrimit vazhdon nga pjesët jugore të vendit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut, thuhet se ka edhe persona që migrojnë drejt Sirisë./aa