Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut miratoi sot një rezolutë që bën thirrje që Izraeli të mbajë përgjegjësi për krimet e mundshme të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Rripin e Gazës.

Rezoluta kërkon gjithashtu ndalimin e të gjitha shitjeve të armëve për Izraelin, duke nënvizuar paralajmërimet për "gjenocid" në luftën e tij në Gaza.

Këshilli i të Drejtave të Njeriut prej 47 vendesh votoi 28-6 pro rezolutës, me 13 abstenime.

Argjentina, Bullgaria, Gjermania, Malavi, Paraguaji dhe SHBA-ja votuan kundër mocionit të paraqitur nga Pakistani në emër të Organizatës për Bashkëpunim Islam (OBI).

SHBA-ja dhe Gjermania thanë se mocioni nuk kishte ndonjë dënim ndaj Hamasit, i cili kreu një inkursion ndaj Izraelit më 7 tetor.

Belgjika, Finlanda dhe Luksemburgu e mbështetën mocionin.

Ambasadorja e Izraelit në OKB në Gjenevë, Meirav Eilon Shahar e përshkroi rezolutën si "njollë për Këshillin e të Drejtave të Njeriut dhe për OKB-në në tërësi".

Ambasadorja e SHBA-së, Michele Taylor tha: "Shumë civilë janë vrarë në këtë konflikt dhe çdo vdekje civile është tragjedi"./aa