Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali priti sot në një takim prof. Jean-Michel de Waelle, në Universitetin e Lirë të Brukselit dhe Prof. Mark Marku, shefi i departamentit të Gazetarisë në Universitetin publik të Tiranës.

Në një postim në rrjetet sociale Spiropali tha se “pata kënaqësinë të bashkëbisedoj me dy Profesorë, simbioza e të cilëve na dëshmon se Europa është këtu në Tiranë në Universitetin tonë dhe ne jemi prezent tanimë në Kryeqytetin europian, në Universitetin e Lirë të Brukselit”.

“Jean-Michel de Waelle, një mik i vyer dhe i hershëm i botës akademike shqiptare, një zë i spikatur i Universiteti të lirë të Brukselit dhe prof. Mark Marku, shefi i departamentit të Gazetarisë në Universitetin publik të Tiranës me parashtruan ide dhe projekte që synojnë një bashkëpunim trepolar mes dy universiteteve dhe Kuvendit të Shqipërisë apo edhe qeverisë shqiptare për të rritur transparencën mes tyre dhe qytetarëve, shkurtimin e distancave mes njerëzve dhe institucioneve bazuar mbi eksperienca europiane bashkëkohore”, theksoi Spiropali.

Spiropali u shpreh se “është gëzim të konstatosh që në shumëçka e sidomos aty ku një vend përkufizon elitat e veta, në Universitet, Shqipëria ka motive krenarie, por natyrisht edhe shumë punë për të bërë”.

“Futja e Universitetit si palë ekspertize, si kontributor i drejtpërdrejtë në përmirësimin e raporteve mes Shqipërisë dhe institucioneve po vjen në momentin e duhur dhe këtu gjetëm dakordësi me dy profesorët e nderuar, bashkëpunimi me të cilët do të jetë afatgjatë”, tha Spiropali./ata