Organizata Botërore e Turizmit  u rekomandon të gjitha kompanive që operojnë në fushën e turizmit, të investojnë në Shqipëri.

Këtë theksoi të hënën Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili, gjatë fjalës së tij në takimin e 70-të i Komisionit për Europën i Organizatës Botërore të Turizmit, që po zhvillohet në Tiranë.

Në takim marrin pjesë drejtuesit e kësaj organizate si Sekretari i Përgjithshëm i OBT Zurab Pololikashvili, Drejtoresha Ekzekutive Natalia Bayona dhe ministra e përfaqësues të sektorit të turizmit nga 40 shtete të kontinentit.

Pololikashvili në çelje të fjalës së tij, tha se turizmit në Shqipëri ka njohur rritje falë vizionit të Kryeministrit Edi Rama, duke e shndërruar vendin nga errësira në dritë.

“Është nder për mua, fat i madh që jam në krah të këtij zotërisë, që e ka shndërruar vendin nga errësira në dritë. Dhe këto shifra që lajmëroi Mirela Kumbaro)nuk është se ndodhën brenda një viti, por janë rezultatet e një pune të madhe, të sfidave të mëdha që Kryeministri Rama ka patur dhe kaluar, që kur ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës”, tha ai.

“Ky transformim i ndodhur mendoj se është rezultat i një pune të madhe, lidershipi të rëndësishëm. Rezultatet kryesore dhe suksesi kryesor në këtë rajon do të vijë prej turizmit. Ka shumë projekte në zhvillim e sipër. Vetëm grupi “Melia” një prej grupeve që vjen me një rrjet hotelesh nga Spanja, është tregues i këtij transformimi”, tha Pololikashvili.

“E di sa i dobishëm dhe i motivuar jeni Kryeminstër për zhvillimin e sektorit të turizmit, që pa bekimin tuaj do e kishit të pamundur të prisnit 10 milionë turistë të huaj në Shqipëri. Ne të gjithë së bashku, jemi këtu për të mbështetur, t’u themi miqve tanë, anëtarëve të familjeve tona, të rikthehen, të vizitojnë Shqipërinë, kudo ku jetojnë”, tha ai.

“Është vendi i duhur për të ardhur për vizitë. Do të vijmë shumë shpesh të vizitojmë pjesë të tjera të Shqipërisë. Ju urojmë më të mirën. Mund të mbështeteni tek miqësia jonë. Do ju ndjekim, do jemi pranë Shqipërisë në këto vite”, u shpreh Pololikashvili.

Më tej, Pololikashvili, bëri të ditur se Organizatat Botërore e Turizmit ka përgatitur një udhërrëfyes ku rekomandon kompanitë që punojnë në fushën e turizmit të investojnë në Shqipëri.

“Jam i sigurt që ne të gjithë do të ritakohemi. Shqipëria do të mirëpresë këtë panair ndërkombëtar të turizmit vitin e ardhshëm dhe do të festojmë sërish duke shijuar mikpritjen shqiptare, mirëseardhjen shqiptare dhe kulturën shqiptare. Ju keni një udhëzues ku ne rekomandojmë të gjitha kompanitë të investojnë në Shqipëri.

Një tjetër hap i rëndësishëm në  mbështetje të turizmit në Shqipëri. Vetëm fillimi. Duam të ofrojmë oportunitet dhe projektet që keni ju për vendin, për të tërhequr sa më shumë investime të huaja direkte”, përfundoi Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili.