Në drejtimin e kryetares Jorida Tabaku, komisioni për Çështjet Europiane shqyrtoi dy projektligje, përkatësisht projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e Bashkimit Evropian “Programin e tregut të përbashkët, për periudhën 2021-2027”” dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kolegjit të Evropës, për hapjen e degës së Kolegjit të Evropës në Tiranë”.

Për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e Bashkimit Evropian “Programin e tregut të përbashkët, për periudhën 2021-2027””, të ftuar ishin zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Endrit Yzeiraj dhe Anxhela Bushati Drejtor, Drejtoria e Politikave të Nxitjes së Biznesit.

Në fjalën e tij në prezantim të këtij projektligji, Yzeiraj sqaroi qëllimin e projektligjit dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së vendit tonë në programin e Bashkimit Evropian “Programin e tregut të përbashkët, për periudhën 2021-2027”, të miratuar në parim në vitin 2023. Programi synon të krijojë bashkëpunim dhe sinergji të mëtejshme ndërmjet bizneseve, sidomos në bashkëpunimet e tyre ndërkufitare për të adresuar barriera jo tarifore

Ndër të tjera, zëvendësministri tha se pjesëmarrja në këtë program, është një mundësi e mirë përfitimi për të gjitha entitetet ligjore, si në sektorin publik dhe në atë privat, duke nënvizuar se programi i krijuar nga BE synon funksionimin e tregut të brendshëm, forcimin e konkurrueshmërisë, rritjen e aksesit në treg, etj.

Relatori i çështjes Lavdim Krrashi, në fjalën e tij u shpreh se është për tu vlerësuar fakti që qeveria shqiptare ka vendosur të jetë mjaft specifike, sa i takon çështjeve të tregtisë. Po ashtu, ai vlerësoi kushtetutshmërinë dhe përputhshmërinë me legjislacionin për marrëveshjet ndërkombëtare, dhe ftoi kolegët ta miratojnë projektligjin.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, Nen për nen dhe në tërësi.

Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e projektligjit projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kolegjit të Evropës, për hapjen e degës së Kolegjit të Evropës në Tiranë”, ku të ftuar ishin Ana Kapaj zëvendësministre e Arsimit dhe Sportit, Erzen Tola, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë si edhe stafi shoqërues.

Sa i përket projektligjit të propozuar, zëvendësministrja Kapaj u shpreh se me anë të kësaj marrëveshjeje synohet nxitja e bashkëpunimit për zhvillimin e sektorit të arsimit të lartë dhe të ekspertizës në fushën e studimeve evropiane në Republikën e Shqipërisë, ofrimi i një oferte unike akademike për studentët dhe profesionistët nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian dhe më gjerë, si dhe kultivimi i një mjedisi intelektual, mirëkuptimi ndërkombëtar dhe multikulturor, në përputhje me traditën e shquar akademike të Kolegjit dhe formulën e tij rezidenciale për të studiuar e jetuar së bashku në Evropë.

Relatorja Etilda Gjonaj, u shpreh se kjo është një nga marrëveshjet më të mira që kemi pasur, ku për herë të parë Tirana do të ketë degën e Kolegjit të Europës, thënë kjo për faktin se çfarë do të ofrojë për studentët që do të ndjekin studimet akademike. “Ofrohet mundësia e kursit akademik jo vetëm për shqiptarët, por edhe për ata të cilët duan të thellojnë studimet nga rajoni, apo edhe nga vendet e tjera evropiane, duke bërë kështu një oaz të shkëmbimit të eksperiencave dhe të përfitimit maksimal për sa i përket çështjeve të arkitekturës, ndërtimit të Bashkimit Europian”, theksoi Gjonaj.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi./ata