Kryetari i bashkisë së Beratit dhe Përfaqësuesen e Përhershme të UNDP Albania, Monica Merino vizituan sot dy biznese të prodhimit të vajit të ullirit në këtë qytet.
Në një postim në rrjetet sociale Demo tha se “me ndihmën e PNUD dhe mbështetjen tonë u kemi dhënë rëndësinë e duhur bizneseve që prodhojnë vajin e ullirit, jo vetëm si diçka e shëndetshme, por edhe karakteristikë e zonës tonë”.
Të dyja fabrikat “Antipatrea Olive” dhe “Zaimi Olive” e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Bilçë dhe janë përfitues të skemës së mbështetjes “Rritu me Biznesin Tënd”.
“Të dyja ia kanë dalë të përmirësojnë cilësinë, rritin imazhin dhe shtojnë shitjet e vajit të ullirit dhe ullinjve të tavolinës “Made in Berat””, tha Demo.
Kryebashkiaku Demo u shpreh se “nga ky program kanë përfituar 8 biznese: grante për të rinovuar pajisjet ose infrastrukturën; grante për të përmirësuar imazhin tregtar; më shumë se 100 orë konsulencë biznesi si dhe 11 orë trajnime (Menaxhimi Financiar, Marketing, Menaxhimi i Rrjeteve Sociale, Protokolli, Praktikat e Mira të Prodhimit etj)”.
Programi “Rritu me Biznesin Tënd” mbështet bizneset e vogla për të përmirësuar aftësitë e tyre menaxhuese, duke forcuar njëkohësisht kapacitetet e tyre për të zgjeruar tregun dhe për t’u integruar më efektivisht në zinxhirët e vlerës lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare./ata