Komisioni i Ekonomisë dhe Financave në mbledhjen e sotme kishte në rend të ditës shqyrtimin e dy projektligjeve “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KFW Frankfurt am Main (KfW), për financimin e projektit “Transporti i gjelbër i Tiranës”” dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e Bashkimit Evropian “Programin e tregut të përbashkët, për periudhën 2021-2027””.

Duke marrë fjalën kryetari i Komisionit Eduard Shalsi, bëri me dije se pr.ligji i parë spostohet në mbledhjen e ardhshme, për arsye të mosshqyrtimit të tij ende nga komisionet respektive. Mbledhja nisi me shqyrtimin e projektligjit të dytë.

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, kërkoi fjalën për procedurë, ku deklaroi se “qeveria shqiptare ka firmosur një VKM për shpronësime të reja në landfillin e inceneratorit të Tiranës duke dëshmuar dhe një herë që inceneratori i Tiranës është një aferë korruptive. Sipas saj, kontrata e inceneratorit nuk kishte përllogaritur këto kosto që po i shtohen të gjitha taksapaguesve shqiptarë”.

“Mendoj që ne sot kemi nevojë për një database të plotë”, u shpreh Jorida Tabaku, dhe i takon këtij komisioni që ta zhvillojmë bashkë, të marrim në seancë ministrin përgjegjës sipas ndarjes së përgjegjësive për të parë zbatimin e kontratave koncesionare nga kosto dhe nga detyrimet. “Nga ana tjetër, duke pasur parasysh që dhe kjo kontratë e inceneratorëve është sensitive si rezultat i shkeljes disa herë dhe e them sepse lidhej me Bashkinë e Tiranës dhe me detyrime që kishte marrë bashkia e Tiranës që në krye të herës”, tha ajo.

Komisioni vijoi me shqyrtimin e pr.ligjit, “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e Bashkimit Evropian “Programin e tregut të përbashkët, për periudhën 2021-2027””.

I pranishëm zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Endrit Yzeiraj, tha se “ky program i rëndësishëm me një fond me më shumë se 4 miliardë euro do të mbështesë SME-të të aplikojnë në programe të ndryshme europiane që do të zgjerohen me kalimin e kohës dhe për shkak të procesit të avancuar të integrimit. Pra do të kemi një shërbim për të gjitha entitetet shqiptare që duan të marrin asistencë sa i takon programit për tregun e përbashkët”.

Yzeiraj theksoi se, vlerësimi i aplikimit do të bëhet tërësisht nga KE dhe ky proces do të ketë transparencë të plotë./ata