Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja mori pjesë të martën në Konferencën për Investimet dhe Zhvillimin Ekonomik të Europës e Shqipërisë – “Nxitja e investimeve në turizëm për ndryshim pozitiv në përfitim të të gjithëve”, që u zhvillua në Tiranë.
Duke marrë fjalën në këtë takim të rëndësishëm, Gonxhja tha se, “turizmi ka marrë një përparësi në politikat dhe angazhimet tona, për t’iu përgjigjur zhvillimit me qasje që mbështesin ecurinë pozitive të tij”.
Gonxhja tha se “ne jemi një vend që punojmë për të përmirësuar infrastrukturën; jemi një vend që punojmë për të patur një përmirësim të transportit në përgjithësi, se duket e lehtë sot, kur themi Shqipëria në Europë; Shqipëria si Europa; Shqipëria e tranzicionit që nuk është aty ku duhet. Por ne nuk e kemi nisur në ’90 në kushtet siç keni qenë ju”.
“Ne kemi pasur probleme me ndërtimet pa leje, probleme infrastrukturore, kemi ndërmarrë riorganizimin e transportit në tërësi për të kapur ritmin e vendeve të huaja, po nxisim modelet e agroturizmit në fshatrat me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe kemi punuar si një skuadër në çdo drejtim në përparimin e ekonomisë tonë dhe sot jemi një pozitë të lavdërueshme në atë çka kemi arritur”, u shpreh ai.
“Sot në 34 vjet jemi me ju në një garë, ndërkohë që ju jeni nisur në këtë garë me shpejtësi shumë të madhe. Ne do të punojmë shumë për sistemin e transportit ndërqytetës, për një rrjet ndërlidhës më të mirë. Po punojmë për një program të ri për turizmin malor dhe për zhvillimin e zonave malore. Duam ta shtrijmë turizmin në të gjithë vendin dhe përgjatë gjithë vitit. Mbështesim investimet në zonat e largëta duke ofruar lehtësi dhe synojmë të nxisim ekonomitë lokale dhe kthimin e emigrantëve në vendin tonë”, tha Gonxhja./ata