Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Lloyd Austin diskutoi me homologun e tij izraelit Yoav Gallant për sulmin në Gaza ku humbën jetën 7 punonjës të "World Central Kitchen" (WCK).
Në një deklaratë nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes thuhet se Austin zhvilloi bisedë telefonike me Gallant.
Austin dhe Gallant diskutuan për hetimin rreth sulmit ndaj punonjësve të WCK-së dhe marrjen e masave që një sulm i tillë të mos përsëritet më.
Sekretari amerikan ka theksuar rëndësinë për rritjen e ndihmave humanitare në Gaza.
- Vrasja e punonjësve të WCK-së
Në sulmin që Izraeli kreu në rajonin Deir al-Balah në Gaza më 1 prill humbën jetën punonjësit humanitarë të WCK-së.
Në deklaratën e WCK-së me seli në Washington thuhet se 7 punonjësit që humbën jetën në sulm ishin shtetas australianë, polakë, britanikë, amerikano-kanadezë dhe palestinezë.
Gjatë sulmit ekipi ndodhej në 2 automjete të blinduara me logon e organizatës në zonën pa konflikte.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbrojti idenë se "nuk ka patur qëllim" në vrasjen e punonjësve të WCK-së. "Në luftëra ndodhin incidente të tilla, ne do ta hetojmë deri në fund këtë. Jemi në komunikim me qeveritë përkatëse. Ne do të bëjmë gjithçka në mënyrë që kjo të mos ndodhë përsëri", tha ai./aa