Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba tha se Rusia vazhdon të kryejë sulme intensive me raketa dhe mjete ajrore pa pilot (dronë) ndaj vendit të tij dhe shtoi se qëllimi i këtyre sulmeve i "shërben ideologjisë për të fshirë Ukrainën nga harta".

Kuleba zhvilloi takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Bruksel në të cilin ndodhet për Takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s.

Kuleba dhe Stoltenberg bënë një deklaratë të përbashkët për media para Këshillit NATO-Ukrainë i cili mbahet në selinë e NATO-së në Bruksel. Duke vënë në dukje se po festohet 75-vjetori i themelimit të NATO-s, Kuleba falënderoi Stoltenbergun për kontributet që ai ka siguruar në ndihmën që vendi i tij ka marrë.

Në fjalën e tij, Kuleba deklaroi se Rusia vazhdon të kryejë sulme me raketa dhe dronë ndaj vendit të tij.

"Ushtria ruse gjatë natës kreu sulme intensive me dronë të llojit 'Shahed' ndaj qytetit Kharkiv. Sulmet sistematike ruse vrasin ukrainasit dhe dëmtojnë ekonominë e Ukrainës. Edhe kjo i shërben ideologjisë së Rusisë për të fshirë Ukrainën nga harta", tha ai.

Kuleba theksoi se në bisedimet në kuadër të takimeve në Bruksel, kanë trajtuar çështjet për furnizimin e Ukrainës me sistemet e mbrojtjes ajrore "Patriot" dhe se për të qenë me të suksesshëm kundër sulmeve të Rusisë kanë nevojë për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore "Patriot".

"Gjatë muajit mars Rusia ka kryer 94 sulme me raketa balistike kundër Ukrainës", tha Kuleba i cili mbrojti idenë se lufta kundër sulmeve të tilla mund të jetë e mundur vetëm me sisteme të tilla si "Patriot"./aa