Universiteti i Kalifornisë Jugore (USC) anuloi këtë javë fjalimin e diplomimit përfaqësueses së studentëve të vitit të fundit, mes intensifikimit të debateve në Shtetet e Bashkuara lidhur me kufijtë e fjalës së lirë në 1kampuset e universiteteve amerikane.
Asna Tabassum, një studente myslimane në degën e inxhinierisë biomjekësore, u zgjodh mes 100 studentëve më të shkëlqyer, për të mbajtur fjalimin e diplomimit për vitin 2024 në maj.
Megjithatë, shkolla e anuloi fjalimin e saj duke përmendur si arsye shqetësimet e sigurisë.
Tabassum e denoncoi vendimin, të cilin ajo ia atribuoi mbështetjes së saj publike për të drejtat e palestinezëve. Ajo tha se ky veprim ishte pjesë e "një fushate urrejtjeje që synon të më mbyllë gojën”.
Universiteti thotë se bëhet fjalë për shqetësimet e sigurisë, jo për lirinë e fjalës. Zyrtarët e tij thonë se kanë marrë një numër alarmues kërcënimesh të dhunshme, pasi e zgjodhën atë për të mbajtur fjalim në emër të studentëve.
USC është vetëm një nga shumë universitetet amerikane që janë përfshirë nga debatet lidhur me rregullat mbi fjalën e lirë dhe protestat në universitete, pas sulmit terrorist të Hamasit në tetor në Izrael dhe mes luftimeve të vazhdueshme në Gazë.
Pas javësh apo muajsh protestash në ambjentet e tyre, universitetet kanë ndërmarrë veprime më të forta për të ndëshkuar protestuesit që administratorët thonë se po shkaktojnë kaos.
Të enjten në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork, policia arrestoi më shumë se 100 studentë që ishin mbledhur në kampus duke mbajtur protesta pro-palestineze.
Dekani tha se protestuesve u ishte thënë disa herë se po shkelnin rregulloret e universitetit dhe se do të pezulloheshin. Studentët thonë se po ushtrojnë të drejtën e fjalës së lirë.
Në Universitetin Amerikan të Uashingtonit, protestat në të gjitha ndërtesat e kampusit janë ndaluar nga presidentja e tij që nga janari. Sipas rregullit të ri, studentët nuk mund të mbajnë tubime, të përfshihen në protesta të heshtura ose të vendosin postera në asnjë ndërtesë të kampusi.
Protesta dhe shqetësime për sigurinë
Në Shtetet e Bashkuara, studentët kanë një histori të gjatë të aktivizmit politik. Nga Lufta e Vietnamit tek të drejtat e abortit, universitetet kanë luajtur një rol kyç në debatet politike amerikane.
Megjithatë, tani studentët thonë se shkolla si Univesiteti Amerikan me një traditë të gjatë angazhimi politik, tani po u mbyllin gojën protestuesve me rregullat e reja.
Arusa Islam, presidente e zgjedhur e studentëve të Universitetit Amerikan, aktualisht nënkryetare, thotë se këto politika po pengojnë një diskutim të hapur rreth politikës së jashtme të SHBA-së.
"Protesta në ambiente të mbyllura nuk përbënte kurrë problem përpara 7 tetorit. Studentët lejoheshin të vendosnin postera në ndërtesa dhe të mbanin protesta të heshtur.
Dhe tani ne nuk e kemi më këtë të drejtë. Ne na kanë mbyllur gojën dhe kjo ndikon jashtë mase tek ne”, thotë ajo.
Presidentja e Universitetit Amerikan, Sylvia Burwell, thotë se politikat e reja të shkollës synojnë të sigurojnë që protestat të mos pengojnë aktivitetin e universitetit.
Ajo iu referua gjithashtu ngjarjeve të kohëve të fundit në kampus që "i bënë studentët hebrenj të ndiheshin të pasigurt dhe të padëshiruar".
Ajo shton se antisemitizmi është i neveritshëm, i gabuar dhe nuk do të tolerohet në Universitetin Amerikan.
Administratorët e universiteteve thonë se po vendosin kufizime modeste në favor të ecurisë normale të mësimdhënies, por kritikët thonë se këto politika kanë një efekt të gjerë.
Në Universitetin Cornell, ku rregullat e reja hynë në fuqi në janar, Claire Ting, nënkryetare ekzekutive e Asamblesë Studentore, tha se politikat kanë pasur një efekt shqetësues në kampus.
"Atmosfera ka qenë e tensionuar lidhur me lirinë e fjalës kohët e fundit," thotë ajo për Zërin e Amerikës.
Ting thotë se si studentët ashtu edhe pedagogët mendojnë se politika ka pasur pasoja bllokuese për lirinë e shprehjes.
“Studentët njoftojnë se po përballen me ndëshkime arbitrare lidhur me shkeljen e rregullores e cila nuk është e qartë lidhur me pasojat për mosbindje civile,” shton ajo.
Cornell paralajmëron studentët se mund të merren masa disiplinore nëse protestat pengojnë njerëzit ose trafikun, dëmtojnë pronën e shkollës ose ndërhyjnë në funksionet e shkollës. Universiteti thotë se kjo rregullore garanton lirinë për t’u shpehur, por angazhimi nuk duhet të jetë i dhunshëm.
Fondacioni për të Drejtat Individuale në Arsim, i njohur gjithashtu si FIRE, studion çështjet e lirisë së shprehjes në kampuset amerikane.
Këtë vit ky fondacion thotë se një numër "alarmues" studentësh thonë se vetëcensurohen ose se administratat e universiteteteve të tyre nuk janë të qarta për çështjet e lirisë së fjalës.
Harvardi u rendit i fundit në sondazhin e këtij viti. FIRE tha se ky universitet ndëshkoi disa profesorë dhe studiues për ato që kishin thënë ose shkruar, dhe studentët raportuan për një klimë negative lidhur me fjalën e lirë në kampus.
Debati arriti deri në sallën e Kongresit në fund të vitit të kaluar, kur presidentja e Harvardit dëshmoi mbi ankesat për antisemitizëm të përhapur.
"Nuk mendoj se do të gjeni shumë studentë në kampus tani që të thonë se ne jemi etaloni për lirinë e fjalës dhe shkëmbimit të ideve në vend," thotë J. Sellers Hill, president i gazetës shkollore të Harvardit, “The Harvard Crimson”.
Kjo gazetë e ka mbuluar në detaje polemikën e vazhdueshme mbi lirinë e fjalës dhe protestat, si edhe dorëheqjen e ish-presidentes Claudine Gay, pas dëshmisë së saj në Kongres.
"Mendoj se askush nuk do ta mohonte se Harvardi ka punë për të bërë drejt përparimit në këtë drejtim", thotë ai./VOA/