Muaji i kaluar është regjistruar si "marsi më i nxehtë" globalisht deri më tani sipas matjeve të bëra me sistemin satelitor "Copernicus" të Bashkimit Evropian (BE).

Sipas njoftimit të "Copernicus", temperatura mesatare e ajrit sipërfaqësor gjatë muajit të kaluar është matur si 14,14 gradë Celsius. Kjo temperaturë ishte 0,73 gradë mbi mesataren e periudhës 1991-2020 për muajin janar si dhe 0,10 gradë mbi marsin e mëparshëm më të nxehtë të regjistruar në vitin 2020.

Më tej thuhet se 10 muajt e fundit kanë qenë muajt më të nxehtë të regjistruar radhazi dhe se temperatura mesatare globale në 12 muajt e fundit (prill 2023 - mars 2024) është matur 0,70 gradë Celsius mbi mesataren e periudhës 1991-2020.

Marsi i vitit 2024 në Evropë, sipas "Copernicus", ishte 2,12 gradë mbi mesataren e marsit të viteve 1991-2020 dhe u regjistrua si marsi i dytë më i ngrohtë.

Temperaturat ishin mbi mesataren në lindjen e Amerikës Veriore, në Grenlandë, lindjen e Rusisë, Amerikën Qendrore, disa pjesë të Amerikës Jugore, shumë rajone të Afrikës, në jug të Australisë dhe në disa pjesë të Antarktidës.

Zëvendësdrejtorja e shërbimit të BE-së për ndryshimet klimatike "Copernicus", Samantha Burgess, paralajmëroi se "ndalimi i ngrohjes kërkon reduktime të shpejta të emetimeve të gazrave serrë"./aa