Jahti “ArtExplorer” ka vizituar ditët e fundit qytetin bregdetar të Durrësit.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga ky jaht, i cili do të rikthehet sërish si një ekspozitë lëvizëse.

“Nga Durrësi nis zyrtarisht edhe sezoni i jahteve, me “ArtExplorer” që ka vizituar këto ditë bregdetin tonë duke premtuar surpriza për vitin e ardhshëm, kur do të rikthehet sërish si një ekspozitë lëvizëse me perlat artistike nga Muzeu i Luvrit në Francë, e që patjetër Durrësi s’ka si të mungojë në itinerarin e Mesdheut”, shkruan Rama.

“ArtExplorer” është ndërtuar nga fondacioni artistik “Art Explora”. Ai është projektuar nga arkitektët Axel de Beaufort dhe Guillaume Verdier dhe është 47 metra i gjatë dhe 55 metra i lartë.

Anija u ndërtua në kantierin detar Perini Navi në Itali. Ajo mund të strehojë 2000 njerëz në bord çdo ditë dhe ofron një ekspozitë të projektuar me bashkëpunimin e jashtëzakonshëm të Muzeut të Louvre./ata