Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE) mbajti sot një takim mbi arritjet dhe sfidat për përmbushjen e rekomandimeve të raportit të Komisionit Europian për vitin 2023, raportit për shqyrtimin Analitik për Grupkapitullin e I “Themeloret”, si dhe angazhimeve të ndërmarra në kuadër të Udhërrëfyesit për Shtetin e së drejtës
Kryetarja e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, Jorida Tabaku në fjalën e saj deklaroi se Shqipëria e vitit 2024 ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm, ndërsa duke e cilësuar korrupsionin ende si një element shqetësues në procesin e integrimit kërkoi që të lëvizet nga qasja e korrupsionit të ndëshkueshëm në atë të parandalueshëm. Për këtë ajo theksoi se duhet rikonceptuar beteja përmes institucionit të Parlamentit duke përfshirë edhe politikën.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm për rolin që Parlamenti ka për të kontrolluar njëkohësisht dhe në balancën e pushteteve. Harmonizimi i jetës institucionale të tre shtyllave kryesore, të ekzekutivit, Parlamentit dhe gjyqësorit është element kryesor në procesin e integrimit, i shenjët dhe duhet të vijojë të jetë i tillë“, tha Tabaku.
Sipas saj, procesi nuk duhet të jetë vetëm në letra.
“Në këtë moment kritik ku institucionet e drejtësisë kanë nisur punën e tyre ka vite tashmë, na pëlqen apo jo, ne si politikë duhet të kujdesemi që këto institucione të kenë burimet, stafin dhe mbështetjen ligjore për veprimtarinë e tyre. Drejtësisë së re të gjithë duam t’i marrim pronësinë, ndërkohë të gjithë biem dakord që procesi i integrimit duhet të jetë i prekshëm nga qytetarët dhe për këtë duhen reforma”, u shpreh Tabaku.
Tabaku më tej shtoi se shumë marrin si shembull Reformën e Drejtësisë dhe pavarësinë e institucioneve të reja të drejtësisë. Por sipas saj, e rëndësishme është që pavarësia e tyre të zbatohet në praktikë.
Tabaku u ndal dhe në forcimin e rolit të Kuvendit në procesin e integrimit.
“U forcua roli i Kuvendit për të siguruar që do të kemi një hapje ndaj shoqërisë civile, medies, grupeve të interesit, për tu siguruar që ndryshimet ligjore do të jenë gjithëpërfshirëse dhe reformat do të jenë transparente e të konsultuara. Roli i opozitës është jetik, sepse ne bashkëndajmë të njëjtin synim për procesin e integrimit, sepse kemi treguar me vepra, sa herë ka qenë nevoja, me miratimin e ligjeve dhe miratimin e çdo detyrimi që ka qenë i nevojshëm për procesin e integrimit”, tha Tabaku.
Më tej, ajo theksoi se kjo dakordësi duhet të vazhdojë edhe me diskutimet për reformat që kanë munguar vitet e fundit, që siç u shpreh ajo, janë tashmë kërkesa të BE-së dhe janë vendosur dhe fonde në dispozicion duke nisur dhe me Planin e Rritjes.
“Korrupsioni që është edhe arsyeja kryesore se pse këto institucione u krijuan dhe ekzistojnë dhe lufta ndaj tij, është kthyer tashmë në frazën e përditshme të të gjithëve ne. Por nga ana tjetër, ne duhet të sigurohemi që kjo ndodh vërtet realisht dhe duhet të lëvizim nga qasja e korrupsionit të ndëshkueshëm në atë të parandalueshëm, që do të thotë, duhet të rikonceptojmë betejën tonë përmes institucionit të Parlamentit duke përfshirë politikën “, deklaroi ajo./ata