“Dua të votoj në 2025” është fushata e ndërmarrë nga të rinjtë shqiptarë jashtë vendit.
Lajmin e bëri të ditur sot në një reagim në rrjetet sociale, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila theksoi se “ndërkohë komisioni i reformës zgjedhore po vazhdon takimet pa ndonjë produkt real”.
Ndërsa solli në vëmendje shifrat e të larguarve nga vendi në 3 dekadat e fundit, Tabaku u shpreh se “sfida e largimit nuk rregullohet me fjalë apo premtime boshe, por ka nevojë për një vizion të qartë qeverisës”.
“Vetë bashkëkombasit tanë që janë larguar nga Shqipëria kanë të drejtën që të zgjedhin vizionin që duan për të drejtuar vendin tonë. Me pak fjalë detyra jonë si politikbërës është që t’u rikthejmë atyre të drejtën e votës që mekanizmat dhe përllogaritjet elektorale ua kanë mohuar. Duke pasur parasysh të drejtën kushtetuese që ata të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në kuvendin e Shqipërisë, bashkë me një grup kolegësh kam dorëzuar në Parlament një nismë ligjore “Për Votën e Diasporës” që në fakt është propozimi i vetë një pjese të diasporës që kanë ngritur një platformë tejet eficiente të përbërë nga intelektualë aktivë në jetën e vendit tonë”, tha ajo.
Tabaku theksoi se “me durim kemi pritur të gjithë që në këto 4 vite komisioni i reformës zgjedhore të shqyrtonte edhe këtë propozim”.
“Por, rezultati nuk ka qenë dhe aq pozitiv sa çfarë pritej. Gjithsesi, sa ka jetë ka edhe shpresë! Për pasojë në nxitim edhe nga koha që vrapon thirrja ime i shkon dhe një herë kolegëve të mi në Kuvend që të lënë me një anë spektaklin dhe të merren me atë propozim që qëndron në sirtarët e ftohtë të Kuvendit. Ta marrim dhe ta diskutojmë për të mirën e përfaqësisë në parlament. Koha nuk pret! Detyra jonë nuk është t’i plotësojmë tekat e politikës së momentit por të sigurojmë të drejtat kushtetuese bashkëkombasve tanë”, tha ajo.
Vota e diasporës, sipas Tabakut, “nuk është vetëm çështje e besimit tek politika, por një e drejtë që i duhet dhënë atyre”./ata