Avokatura e Shtetit prezantoi raportin në Komisionin e Ligjeve duke njoftuar deputetët se tashmë Shqipëria konsiderohet nga Këshilli i Evropës si ndër vendet që zbaton më së miri vendimet e Gjykatës Evropian për të Drejtat e Njeriut. 

“Është për tu theksuar që Shqipëria tashmë konsiderohet si një partnere shumë e mirë ose si zbatuese shumë e mirë e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.”

Por fjalët në Komision, dhe shifrat e detyrimeve ndaj gjyqeve të humbura, flasin për dy realitete të ndryshme. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se gjatë vitit 2024, shteti shqiptar trashëgoi një borxh prej 21.7 milionë eurosh nga gjyqet e humbura në Strasburg, ku vendimi që konsiderohet si më i rëndi për financat publike, është gjyqi i familjarëve të Lulzim Bashës dhe banorëve të tjerë të pallatit të shembur në Vlorë në vitin2013, pak muaj pasi socialistët erdhën në pushtet.

A2CNN ka zbardhur korrespondencën e radhës ndërmjet Avokaturës së Shtetit dhe Këshillit të Evropës, ku pala shqiptare njofton se për masat e marra për këtë çështje. Çfarë bie në sy është se shifra totale e detyrimeve ende të pashlyera, është rritur me 20% për shkak të kamatëvonesës për moszbatimin e vendimit.

“Për sa i përket masave individuale, qeveria shqiptare ka dhënë informacion mbi masat e marra nga Ministria e Financave për ekzekutimin e vendimit, duke shpjeguar vështirësitë objektive të autoriteteve shqiptare për të siguruar pagesën e plotë të shpërblimit të drejtë për shkak të implikimeve të rënda për buxhetin e shtetit pasi shuma është tepër e lartë, 13,447,300 euro + 2.7 milionë euro kamat vonesë.”

Viti 2024 mund të sjellë të tjera kosto për arkën e shtetit shqiptar, pasi Avokati i shtetit njoftoi Kuvendin se Gjykata e Strasburgut ka vendosur të kalojë për shqyrtim të gjitha çështjet e mbartura ndër vite.

“Ndërkohë që gjatë vitit 2024 kemi në pritje një numër të lartë kërkesash dhe siç e kemi përmendur në takimin dhe raportimin e vitit 2023 ne e kemi cilësuar se ka një numër të lartë kërkesash nga shtetas shqiptarë që kanë qenë të patrajtuara ndër vite dhe Gjykata Evropiane këto çështje ka vendosur t’i trajtojë.”

Sipas raporti të avokatit të Shtetit, për vitin 2023, shteti shqiptar nuk kishte humbur asnjë vendim sa i takon çështjes së pronave duke e konsideruar tashmë si të mbyllur këtë proces./Tema