Ministri i Financave, Ervin Mete deklaroi sot se po shikohet ndërmarrja e një politike sociale me qëllim nxitjen e punësimit të të rinjve si dhe lehtësimin e barrës fiskale për familjarët me fëmijë nën 18 vjeç.

Në fjalën e tij në panelin e diskutimeve në kuadër të Javës Globale të Parasë për edukimin financiar të të rinjve, ministri tha se duke qenë në një moment të mirë ekonomik, po diskutohet të ketë lehtësime të targetuara për të rinjtë dhe fëmijët.

“Po diskutojmë dhe tani jemi në një moment të mirë ekonomik, që ta përkthejmë edhe në rishpërndarje dhe mirëqenie të shtuar për qytetarët, është që të kemi dy lehtësime të targetuara për të rinjtë dhe fëmijët, që do të thotë, nëse një i ri deri në moshën 29 vjeç do të punësohet ne do t’i lejojmë që të ketë zbritje nga detyrimi tatimor, vetëm për shkak të moshës, në mënyrë që të nxisim punësimin e tyre, ashtu siç do të lejojmë zbritje të posaçme nga detyrimi tatimor për fëmijët në kujdestari nën moshën 18 vjeç, sepse sigurisht që dikush që merr të ardhura dhe ka 1, apo dy fëmijë në ngarkim, nuk është në të njëjtat pozita me dikë që i merr ato të ardhura dhe nuk ka fëmijë në ngarkim”, deklaroi Mete./ata