Ministri i Financave, Ervin Mete foli sot me të rinjtë për rëndësinë e edukimit financiar, në kuadër të aktiviteteve që po mbahen në Javën Globale të Parasë.
“Në thelb, pavarësisht madhësisë së portofolit, apo të funksioneve, kur vjen puna tek menaxhimi financiar, konceptet mbi të cilat ai bazohet janë të njëjta dhe kuptueshmëria qoftë edhe në nivel bazik, apo të thjeshtuar e këtyre koncepteve ndihmon si për menaxhimin e një portofoli të vogël, të mesëm, apo qoftë ai edhe në përmasat e buxhetit të shtetit”, tha Mete.
Ai u shpreh i mendimit se është kyçe që që në moshë të hershme, përderisa diskutohet për mbrojtjen e të rinjve dhe të investimeve të tyre në të ardhmen.
“Që këto koncepte të menaxhimit financiar, apo të edukimit financiar në përgjithësi të përqafohen prej tyre apo të përfshihen në kurrikulat dhe në aktivitetet e tyre, siç është dhe ky i sotmi, në mënyrë që të munden nesër të marrin vendimet e duhura, qoftë sa i përket portofoleve të tyre, qoftë dhe investimeve të tyre, sepse në fund buxheti, kursimet, shpenzimet, kredia, interesi detyrimet që merr përsipër bazohen në koncepte të njëjta dhe që një kuptueshmëri qoftë dhe e thjeshtuar e tyre ndihmon”, u shpreh Mete.
Ai u ndal dhe te rëndësia e mbrojtjes personale në botën dixhitale.
“Sot ne jetojmë në një botë të digjitalizuar, ku informacioni lëviz shumë shpejt, po edhe dizinformimi lëviz shumë shpejt dhe mundet që nëse ti nuk krijon një mburojë personale, përtej asaj mburoje që krijojnë institucionet që kanë detyrën rregullatore, mbikëqyrëse apo politikbërëse në këtë drejtim, mundet që të dizinformohesh dhe të marrësh vendime që nuk bazohen në informacione të vërteta, sepse ndonjëherë ato që lexojnë janë “to good to be true” dhe nëse janë të tilla, pra nëse janë edhe më të mira seç mund të jenë të vërteta gjasat janë që ka diçka që nuk shkon”, u shpreh Mete.
Nga ana tjetër, vuri në dukje ai, edhe shpenzimi sot nëpërmjet kanaleve digjitale, apo investimi nëpërmjet kanaleve digjitale, është të kesh shkuar tepër, që do të thotë që, nëse nuk krijojmë këtë mburojën personale bazuar mbi edukimin financuar, apo mbi konceptet bazike të edukimit financiar, gjasat janë që mund të rrëshkasim në vendime jo të drejta.
“Mbaj mend kur ishim të angazhuar te AMF, që organizonim konkurse për investime në bursë të të rinjve që vinin nga universitet dhe që ishin shumë edukuese, sepse ishin praktike për studentët. Në këtë sens, ne jemi në një diskutim prej kohësh me BSH me AMF me Ministrinë e Arsimit për një Strategji Kombëtare të Edukimit Financiar dhe për aktivitete, në koordinimm edhe me operatorët e sistemit financiar, bankat apo kompanitë e sigurimeve, fondet e pensioneve, në mënyrë që të ketë sa më tepër informacion”, tha ai.
Por, sipas Metes, është përfshirja individuale për ta përthithur këtë informacion e pastaj për ta vënë në përdorim, ajo që është shumë e rëndësishme e që zgjodhi ta përçonte si mesazh.
“Sepse, vuri në dukje ai, në terma investimi, nuk është vetëm investimi financiar ai që në këtë kontekst është i rëndësishëm, por është dhe investimi personal dhe investimi në dije dhe investimi në kuptueshmërinë në termat e financës apo në konceptet bazike dhe si ato mund të prekin është një investim që unë do ta nxisja te të rinjtë se askush nuk mund të ta marrë dhe që të shoqëron e të ndihmon nesër për marrjen e vendimeve të duhura”, deklaroi ministri./ata