Kryeministri Edi Rama falënderoi sot Presidentin e Francës, Emmanuel Macron për vizionin dhe vendosmërinë me të cilën e ka nxitur këtë valë të re të afrimit ndërmjet vendeve të Ballkanit dhe Bashkimit Europian.

Në deklaratën e përbashkët për shtyp me Presidentin Macron në Pallatin Elysee, kryeministri Rama vlerësoi ceremoninë ushtarake të pritjes në Oborrin e Nderit të “Les Invalides”, në Paris, ndërsa u shpreh se ishte hera e parë në historinë e marrëdhënieve tona diplomatike që një përfaqësues i shtetit shqiptar të pritej në këtë mënyrë.

“Kjo do të thotë shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sot jam vërtetë shumë krenar jo për veten, por për Shqipërinë, për këtë miqësi ndërmjet Shqipërisë dhe Francës”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se sot ka sipërmarrës të shumtë francezë që vijnë në Shqipëri për të investuar dhe  zgjeruar ndërmarrjet e tyre dhe ky është vërtetë një revolucion.

“Të falënderoj për dy gjëra. Për vizionin dhe vendosmërinë me të cilën e ke nxitur dhe e ke shtyrë këtë valë të re të afrimit ndërmjet vendeve të Ballkanit dhe BE-së, duke vënë në tryezë nevojën për ta shoqëruar këtë proces integrimi me një proces përafrimi përtej rrugëve burokratike të çdo vendi”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ne jemi sot dëshmitarë të rezultateve për Shqipërinë dhe për të gjitha vendet e Ballkanit dhe Plani i Rritjes që u miratua nga PE shkon në këtë drejtim. Një Europë e fortë, e bashkuar që nuk mbetet peng i mënyrave të vjetra, metodave të vjetra tradicionale të integrimit”, tha Rama./ata