Në Tiranë asfaltohet edhe një rrugë tjetër që lehtëson lëvizjen e qytetarëve dhe sjell rregull në lagje. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili inspektoi punën në orët e mbrëmjes, tha se ky është një investim i rëndësishëm që lidh dy rrugë: rr. “Mihal Grameno” me rr. “Bako Dervishaj”, e cila më pas del me një kalim te zona e Thesarit për t’u bashkuar me rrugën e Elbasanit.

 

“Ky është një nga komunitetet më të vjetra të Tiranës dhe për të gjithë ata që janë rritur në këtë lagje ka shumë nostalgji. Më vjen mirë që në aksin e rrugës kryesore po bëjmë një investim kapital, që lidh dy rrugë: rr. “Mihal Grameno” me rr. “Bako Dervishaj”, dhe del me një kalim te zona e Thesarit, për t’u bashkuar me rrugën e Elbasanit. Kemi edhe një degëzim tjetër nga Qyteti Studenti, edhe ajo një rrugë që kishte nevojë për ndërhyrje. Ky degëzim po bëhet me investim kapital të prokuruar nga Bashkia e Tiranës. Xhepat e pallateve që përfshin ky aks po bëhen nga ndërmarrja jonë e asfaltit. Qytetarët duhet të na mirëkuptojnë: Në momentin që flasim po punojmë në 60-70 kantiere paralele në Tiranë. Edhe në shtëpi, kur ndërrojmë një pllakë, i biem kuzhinës cep më cep. Edhe në qytet, për sa kohë po punojmë në gjithë këto kantiere, do duhet të na jepet mirëkuptim derisa t’i kryejmë këto punë”, tha Veliaj.

 

Kryebashkiaku shtoi se së shpejti në Njësinë 2 do ndërtohen edhe dy shkolla të reja, duke e çuar kështu në 7 numrin e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve në zonë.

 

“Më vjen mirë që për zonën janë duke u kryer disa investime të tjera në infrastrukturën arsimore. Sa kemi rënë dakord me qeverinë që të marrim ish Spitalin e Arabit në Sauk, i lënë pas dore që në vitet ‘90, pa u bërë kurrë spital, për ta kthyer në një shkollë 9-vjeçare për Saukun. Në anën tjetër të rrugës, po te ai rreth rrotullim, ku ka qenë parkingu i Policisë Ushtarake dhe sot është oborri i madh i Akademisë së Rendit, do të ndërtojmë gjimnazin. Pra, do operojmë siç kemi bërë edhe në lagje të tjera, ku do të kemi afër edhe shkollën 9-vjeçare me parashkollorin dhe një kopësht, edhe gjimnazin, që fëmijët të mos bëjnë vara-vingo”, theksoi Veliaj.

 

Sipas tij, puna për asfaltimin e rrugëve do të vazhdojë çdo natë. “Ne do të vazhdojmë çdo natë, me shpresë se do na mbajë koha dhe këto 70 kantiere t’i përfundojmë sa më shpejt. Në fund do ia vlejë i gjithë ky mund dhe durim. Faleminderit banorëve për mirëkuptimin dhe më vjen mirë që edhe çunat, shokët tanë të vjetër të lagjes, janë të kënaqur, dhe pjesa e brendshme po sheh asfalt dhe rregull cep më cep. Por, na duhet ta mirëmbajmë. Po i rikthyem prapë kunjat dhe bllokimet, nuk ka kuptim. Është si historia te Qyteti Studenti. Po i zaptuan prapë konviktet, na rroftë që i bëmë të reja, se kemi ngelur akoma te mentaliteti i 97-ës. Na duhet të investojmë edhe në infrastrukturë rrugore, edhe në mentalitet, që të sigurohemi që këtë hapësirë të përbashkët ta shijojmë sa më gjatë”, tha ai.

 

Në fund, Veliaj dha dy lajme të mira edhe për Njësinë 13, ku po ndëtohen dy shkolla. “Lajmi tjetër i mirë është se në anën tjetër të Unazës së Tiranës, te pjesa e Liqenit të Thatë, në Njësinë 13, do të ndërtojmë dy shkolla të reja. Një do të jetë te cepi i Kopshtit Botanik, në pronë të bashkisë, jo brenda në kopësht; ndërsa shkolla tjetër, gjimnazi “Dritëro Agolli”, do të jetë te Parku Olimpik, te xhepi i krijuar pas mbarimit të ndërtimeve private, ku bashkia ka marrë tokën që i takon për të bërë këto investime. Për Njësinë 2, me dy shkolla të reja në Sauk dhe pasi kemi mbaruar shkollat “Bashkim Fino”, “Mihal Grameno”, “Kosova”, Liceun Artistik dhe Shkollën e Baletit, e çojmë në shtatë numrin e shkollave këtu. Me këto investime kapitale ne e kryejmë misionin tonë në Njësinë 2 dhe pjesën kufitare Sauku ndahet me Farkën. Tani ngelet që fëmijët të dalin me dhjeta dhe të na nderojnë!”, tha ai.