Lumi Vjosa që përshkon Grykën e Këlcyrës në Peshtan, ofron një peizazh karakteristik shumë të bukur natyror, ku ndërthuret bimësia dhe drurët pyjor përgjatë burimeve ujore në shtratin e lumit Vjosë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjete sociale pamje nga Gryka e Këlcyrës, që të ofron një pamje spektakolare të natyrës, ndërthurur me ngjyrën e kaltër të lumit Vjosë.
“Gryka e Këlcyrës nën këmbët e së cilës vërshon e kaltër Vjosa”, shkroi Kumbaro.
Vitet e fundit Gryka e Këlcyrës është kthyer në një destinacion të eksplorimit të natyrës për turistët dhe vizitorët e shumtë vendas dhe të huaj.
Kjo grykë ka një formim shkëmbor shumë të veçantë, ku lumi Vjosa pushon midis dy maleve me një gjerësi maksimumi 1 km dhe me burime kristal që derdhen në Vjosë duke krijuar ujëvara me një bukuri të rrallë.
Gryka gjendet mes vargmaleve Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë dhe Shëndëlli-Lunxhëri-Bureto.
Ndërsa Peshtani ku gjendet Gryka e Këlcyrës, ka po ashtu një perspektivë të mirë sa i përket përdorimit të Vjosës për turizëm. Duke qenë se Vjosa në Peshtan është në nga pjesët e saj më të bukura, aty ka filluar zhvillohet sporti i kanotazhit dhe për çdo vit shtohen grupet e turistëve që frekuentojnë fshatin për këtë lloj turizmi.
Banorët kanë nisur t’i kthejnë shtëpitë e tyre në bujtina agroturistike, që janë mjaft të frekuentuara nga vizitorët dhe turistët e huaj, që vijnë për të pushuar dhe eksploruar bukuritë e jashtëzakonshme natyrore të kësaj zone.
Peshtani është 16 km në lindje të Tepelenës, në bregun e majtë të lumit Vjosa, aty kush bashkohet lumi i Zagories me Vjosën. Ai gjendet në qendër të një prej grykave më të mëdha në Ballkan, Gryka e Këlcyrës 13 km, një monument i rrallë natyror./ata