Në datë 7 qershor 2024, pas disa vitesh procedurash arbitrazhi, gjykata ndërkombëtare që vepron nën Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC) me seli në Paris ka dhënë vendimin përfundimtar për mosmarrëveshjen e ngritur nga Bankers Petroleum kundër Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë (MIE) dhe Albpetrol.
Mosmarrëveshja, e sjellë në arbitrazh nga Bankers, lidhej me procedurën e rikuperimit të kostove sipas licencë marrëveshjes dhe marrëveshjes hidrokarbure të lidhura me Bankers të vitit 2004, në lidhje me operacionet në fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës.
Në përfundim të gjykimit, dhe pse Bankers kërkoi me anë të arbitrazhit të mbajë të gjitha shumat e gjeneruara nga prodhimi i fushës së Patos Marinzës me anë të procedurës së rikuperimit të kostove, Shqipëria ja doli të ketë epërsi mbi shumë nga çështjet e interpretimit të Marrëveshjeve përpara Tribunalit.
Konkretisht Gjykata ra dakord me interpretimin e Shqipërisë për aspekte të rëndësishme të marrëveshjeve, në veçanti që kategoritë e kostove të rikuperueshme janë të listuara në mënyrë specifike në marrëveshje, kështu që kostot e tjera si pagesat e bëra për operacionet kanadeze të Bankers ose pagesat për zgjidhjet e mosmarrëveshjeve me mirëkuptim me kompani të tjera për furnizimin me naftë nuk mund të rikuperohen (në ndryshim nga pretendimet e Bankers).
Gjykata konkludoi gjithashtu se nuk mund të pretendoheshin as kostot e kundërshtuara që ishin bërë, të tilla si investimet në marrëdhëniet me komunitetin që kane qenë të ekzagjeruara ose pagesat për qiratë e tokës.
Tribunali ra dakord me Shqipërinë se kontratat e rëndësishme nënkontraktore duhej të jepeshin nëpërmjet proceseve rigoroze të tenderimit, duke rritur transparencën dhe efikasitetin e projektit.
Nga vendimi konkludohet se mbi 236 milionë dollarë nga kostot e pretenduara nga Bankers dhe të kundërshtuara nga AKBN janë refuzuar dhe deklaruar të parikuperueshme.
Rezultati i mosmarrëveshjes është se Bankers do të duhet t’ i kthejë Shqipërisë shuma për llogari të fushës naftëmbajtëse të Patos Marinzës. Kjo do të rrisë fitimet historike të fushës së naftës dhe do të çojë në pagesa të tatimit mbi fitimin ndaj shtetit.
Një rezultat i tillë vepron si një precedent i rëndësishëm për llogaritjet e ardhshme të tatimit mbi fitimin si në Patos Marinzë ashtu edhe në të gjitha asetet e tilla që i përkasin shtetit shqiptar ku zbatohen marrëveshje të ngjashme licencimi. Vendimi është gjithashtu një përligjie e fortë e auditimeve të shtetit në aktivitetet e hidrokarbureve si dhe e vendimit të tij për të kundërshtuar kostot e rikuperuara.
Rezultati i këtij vendimi u arrit nga puna e bërë nga grupi i punës, i përbërë nga ekspertë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, AKBN, nga Avokatura e Shtetit, e asistuar nga një ekip ligjor profesional ndërkombëtar (Hogan Lovells Paris), me mbështetjen e ekspertëve ndërkombëtarë të naftës, për të bërë parashtrimet dhe shpjegimet e duhura para Tribunalit.
Megjithëse u deshën shumë vite për zhvillimin e këtyre procedurave, Shqipëria ka arritur tashmë këtë rezultat përfundimtar, të suksesshëm dhe të verifikueshëm, duke i dhënë shumë qartësi operacioneve të rëndësishme në të ardhmen në Patos Marinzë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pret të vazhdojë të punojë me investitorët për të shfrytëzuar asetet e Shqipërisë në mënyrën më efikase të mundshme, e dobishme për të gjitha palët e përfshira dhe veçanërisht për popullin shqiptar, si dhe për të punuar brenda standardeve më të larta sociale dhe mjedisore për të siguruar që zona të tilla të mirëmbahen në mënyrën e duhur në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të rehabilitohen siç duhet në përfundim të shfrytëzimit të tyre./ata