Drejtori i përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, në një intervistë për media, tregoi për vendet me të cilat synohet të arrihet marrëveshje për njohjen e pensioneve.
“Sigurisht që vijojnë përpjekjet. Përfunduam marrëveshjen kuadër me Serbinë. Javën tjetër ne do të shkojmë në Poloni dhe do të fillojmë negociatat. Pastaj, kemi në radhë Slloveninë, Spanja, presim nga Franca që të kemi dritën jeshile”, tha Hado.
Sipas tij, edhe Danimarka ka shprehur vullnetin për këtë proces.
Hado bëri të ditur se, gjithashtu po diskutohet me Holandën dhe vendet skandinave.
“Besoj sivjet mbyllim Serbinë dhe Slloveninë dhe do të startojmë me dy marrëveshje të tjera”, tha ai.
Hado vuri në dukje se, koordinimi skemës me vendet e Evropës, mbulon shumë shqiptarë dhe për më tepër kur sot, shqiptarët po lëvizin nga Greqia dhe Italia drejt veriut të Evropës.
Ai tha se, “nëse nënshkruan marrëveshje me të gjitha vendet e BE-së sigurisht është presion edhe ndaj Greqisë, proces që po ecën ngadalë”./ata