Tirana vitet e fundit është kthyer në një qendër atraksioni turistik për turistë të huaj nga rajoni, Evropa, por edhe më gjerë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga stadiumi “Air Albania” në kryeqytet ku shihet grupi me turistë të huaj, që vizitojnë ambientet përreth stadiumit kombëtar,  i pozicionuar gjithmonë në hartën turistike të Tiranës.

Vitet e fundit, Tirana po transformohet befasueshëm në një atraksion urban duke pritur çdo ditë mijëra turistë nën një ofertë fantastike.

Pamjet e një fluksi të shtuar vizitorësh të huaj, ndeshen thuajse në të gjitha pikat kyçe të Tiranës, ku qëndrojnë në radhë për të shijuar sitet më të bukura që përfaqësojnë historinë, kulturën e harmoninë fetare karakterizuese.

Turistët i gjen kryesisht përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, sheshit “Skënderbej” tek “Piramida”, në Bunk Art, Xhaminë e Et’hem Beut, por edhe në muzeumet e Tiranës, ku mund të mësojnë më shumë për kulturën dhe traditën shqiptare.

Në vetëm 15 kilometra katrorë sipërfaqe, në Tiranë mund të shijosh thuajse të gjitha format e turizmit, duke nisur nga ai kulturor, historik, duke vijuar te turizmi arkitekturor e kulinar, e mandej te turizmi malor dhe i aventurës.

Por padyshim vend të rëndësishëm në këtë mozaik të objekteve turistik zë edhe stadiumi kombëtar “Air Albania”, që shkëlqen me veshjen e vet kuqezi, vizatuar me motive të traditës të inspiruara nga folklori shqiptar, që zgjon çdo herë interesin e turistëve për tu vizitur.

Transformimi që ka pësuar Tirana po zë çdo vit gjithashtu hapësira në revistat më të njohura të botës./ata