Në sektorin Iliria në plazhin e Durrësit në një peizazh mjaft piktoresk ndodhet edhe një apartament që ka një histori të ndryshme nga hapësirat e tjera të banimit përgjatë vijës bregdetare.

Dikur ka pasur pronar një ish kryeprokuror, Adriatik Llallën. Ai u dënua me dy vite burg nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në pranverë të vitit 2021 por vendimi nuk u ekzekutua asnjëherë pasi Llalla u largua nga vendi drejt Italisë. Vendimi mori formë të prerë më 22 shtator të atij viti duke iu konfiskuar edhe pasuritë e dyshuara si të fshehura. Apartamenti rreth 70 m2 iu dha organizatës "Durrësi Aktiv" për ta vënë në përdorim në ndihmë të artistëve të rinj të cilët nuk kanë mundësi financiare që të ushtrojnë e të afirmojnë artin e tyre.

U inaugurua në shkurt të vitit 2023 por puna për shndërrimin e kësaj hapësire banimi në “Qendrën Art dhe Aktivizëm” ka nisur më herët.

Që nga ajo ditë u punua dhe apartamenti u transformua një qendër ku grumbullohen artistë të rinj të cilëve ju ofrohen mundësi që kultivojnë gjinitë e artit pamor.

Livia sqaron se janë 10 të rinj që tashmë vijnë disa herë në javë e punojnë në këtë qendër. Atyre ju ofrohet veç hapësirave për punë edhe lënda që atyre ju nevojitet për artin e tyre.

Ndërkohë 2 artistë të rinj tregojnë se ndjehen mirë në punën e tyre dhe se kjo qendër i ka krijuar mundësi që të punojnë por të kenë edhe drejtues në projektet e tyre që ata i quajnë mentorë.

Këta artistë do të kenë mundësinë e promovimit të artit të tyre nëpërmjet çeljes së ekspozitave pikërisht nga kjo qendër e cila ka ndërmend që gjatë sezonit veror të çelë 2 të tilla në zonën e plazhit duke shfrytëzuar sezonin turistik që po vjen.

Klaudio Hyseni, drejtues projekti sqaron se qendra qëndron çdo ditë e hapur nga ora 09.30 deri në orën17.00. Ai thotë se iu krijojnë artistëve kushte që të punojnë, të pushojnë por edhe të pinë ndonjë kafe apo çaj që jua mundëson qendra.

Ky projekt është parashikuar të zgjasë 5 vite.