Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato ka folur nga Shkodra për reformën ne drejtësi dhe presionet e politikës, gjatë një takimi dje (12 prill) me studentët e drejtësisë në Shkodër.

Ambasadori i BE-së tha se reforma në drejtësi është një reformë që jo vetëm garanton pavarësinë e sistemit të drejtësisë, por siguron që edhe sistemi i drejtësisë të jetë i përgjegjshëm ndaj qytetarëve.

Gonzato tha se nëse Shqipëria dëshiron të integrohet në BE, atëherë duhet që vendi të luftojë korrupsionin. Ai tha se ka besim në sistemin e drejtësisë shqiptare.

'Jam këtu në Shkodër me studentë të drejtësisë për të folur për sistemin e drejtësisë, reformën në drejtësi dhe rolin që ka edhe shoqëria civile për të siguruar që reforma që u ndërmor në vitin 2016 është një reformë që jo vetëm garanton pavarësinë e sistemit të drejtësisë, por siguron që edhe sistemi i drejtësisë të jetë i përgjegjshëm ndaj qytetarëve, sepse qëllimi i reformës ishte pikërisht ai që t’u jepte njerëzve besim, besim te institucioni, besimi veçanërisht te drejtësia e Shqipërisë, sepse kjo është ajo që na duhet për të promovuar një mjedis të shëndetshëm biznesi, të sigurohemi që njerëzit të duan të investojnë në Shqipëri, por edhe të sigurohemi që njerëzit të marrin drejtësinë.

Mendoj se është shumë e rëndësishme që, institucioni i posaçëm që u krijua pikërisht për t’u marrë me rastet e nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, tani po sjell disa rezultate. Mendoj se i jep besueshmëri vendosmërisë së Shqipërisë për të luftuar korrupsionin, sepse korrupsioni është i dëmshëm për shoqërinë, është i dëmshëm për ekonominë, kështu që nëse Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, është e qartë rruga që duhet ndjekur. Ky duhet të jetë një nga prioritetet e Shqipërisë dhe duhet të çojë në rezultate konkrete.'- tha Gonzato.

I pyetur nëse ka presion nga politika kundrejt kreut të SPAK, Altin Dumani, Gonzato tha se ai nuk duket i shqetësuar për këtë.

'Pra, e dini, unë kam besim në sistemin e drejtësisë shqiptare. Mendoj se thjesht duhet ta lëmë të bëjë punën e vet dhe të shohim se në çfarë do të sjelle. Shikoni, reforma e 2016-ës synonte konkretisht të garantonte që sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur, të jetë i vetëqeverisur dhe prandaj është rezistent dhe elastik ndaj presioneve politike. Kështu që unë i diskutova këto gjëra edhe me z. Dumani dhe ai është i bindur, po bën punën e tij dhe mendoj se duhet të qëndrojë i qetë dhe të vazhdojë. A ka presion nga politika? Nuk më takon mua ta them, por ai nuk duket se ishte i shqetësuar për këtë.'- tha Gonzato.