Nga Boldnews.al

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, ka komanduar Enri Ndonin në postin e Drejtorit të Informatikës, pas pezullimit nga detyra të Ervin Muçës, i arrestuar në vijim të hetimeve për skandalin e sistemit TIMS.

 

Ndoni ka mbajtur deri më tani postin e Drejtorit të Sistemeve. Ai u emërua në këtë detyrë, pas largimit të Besjan Tonuzit, një tjetër personazh që nuk plotësonte kriteret për të mbajtur atë post.

Të dhënat e bëra publike më herët tregojnë se drejtori i ri, Enri Ndoni, ka përfunduar studimet e larta për Administrim Biznes, ndërkohë që pozicioni i shefit të IT-së kërkon domosdoshmërisht persona me njohuri të posaçme në teknologjinë e informacionit.

Prej mëse një viti, emërimet në Drejtorinë e Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit janë kthyer në një qerfull paligjshmërish.

Ervin Muça u emërua në qershor të vitit të kaluar në postin e Drejtorit të IT-së, me firmën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Mumahet Rrumbullaku. Vetëm dy muaj më pas, në gusht të atij viti, Muça u raportua se kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në serverin qendror të TIMS-it.

Kjo ngjarje u mohua nga drejtuesit e lartë të Policisë, Ministri i Brendshëm dhe vetë kryeministri. Por, pas një hetimi disa-mujor, të konkluduar këtë mesjavë, Prokuroria e Tiranës konstatoi paligjshmërinë në veprimet e Muçës, duke e vendosur në “arrest shtëpie”, nën dyshimet e kryerjes së veprës penale të “ndërhyrjes së paautorizuar në rrjetet kompjyterike”.

Thuajse në të njëjtën kohë me Muçën, drejtori Rrumbullaku ka emëruar znj. Ervina Gjana, në postin e Drejtoreshës së Krimeve Kibernetike, e cila më herët kishte qenë e hetuar për “ndërhyrje në sistemet kompjuterike”, e akuzuar nga një kolege e saj pikërisht në Policinë e Shtetit.

Me firmën e Rrumbullakut, në të njëjtin hark kohor, u emërua Elona Gogo në postin e drejtorit të Programimit dhe Bazën e të Dhënave. Rrumbullaku u detyrua ta tërheqë këtë firmë shumë shpejt, pasi u mësua se Gogo, motra e kryeinspektores Ndërtimore, Dallëndyshe Bici, ishte marrë e pandehur nga SPAK.

Në vijim, me kërkesë të Ervin Muços, Drejtori i Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku, emëroi Besjan Tonuzin në postin e Drejtorit të Sistemeve informatike. Ky I fundit dha dorëheqjen, pasi u zbulua se nuk plotësonte kriteret.

Në nëntor 2023, në vend të Tonuzit, u emërua Enri Ndoni, i cili tashmë u komandua në postin e Drejtorit të IT-së në Policinë e Shtetit.