Irani lëshoi dhjetëra dronë drejt Izraelit në mes të tensioneve të përshkallëzuara midis dy vendeve pas sulmit të javës së kaluar ndaj Konsullatës iraniane në Siri.

Lajmin e bënë të ditur fillimisht disa media izraelite, në mesin e të cilave edhe Radio e Ushtrisë Izraelite.

Informatat më pas u konfirmuan nga ushtria izraelite, ndërsa zëdhënësi ushtarak Daniel Hagari tha se dronëve do t’u duhen nga shtatë deri në nëntë orë për të arritur në Izrael.

Ai tha se do të ketë ndërprerje të GPS-së pasi ushtria punon për të kapur dronët iranianë.

Ushtria izraelite gjithashtu bëri të ditur se sistemi i mbrojtjes ajrore është në gatishmëri të lartë, ndërsa forcat ajrore dhe marina vazhdojnë misionin e mbrojtjes së hapësirës ajrore të vendit.

Lajmi më pas u njoftua edhe në mediat iraniane, në mesin e të cilave edhe televizioni shtetëror i Iranit, të cilat njoftuan se është nisur një sulm gjithëpërfshirës me dronë ndaj Izraelit.

Gjithashtu, Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit bëri të ditur se kanë nisur operacionin kundër Izraelit me dhjetëra raketa dhe dronë.

Ndërkohë, reagoi edhe Shtëpia e Bardhë duke thënë se Irani ka filluar sulmin ajror kundër Izraelit, si dhe duke konfirmuar se mbështetja e SHBA-së për sigurinë e Izraelit është “e hekurt”.

Nga ana tjetër, janë alarmuar edhe vendet e rajonit, duke përfshirë Irakun, Sirinë, Jordaninë, Libanin dhe Egjiptin, të cilat kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore apo kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme./aa