Me kalimin e moshës, aftësia njohëse bie si rezultat i konsumimit të kohës. Pra, nëse një i moshuar ka vështirësi në gjetjen e fjalës së duhur, kjo mund të sinjalizojë ndryshime në tru që janë në përputhje me fazat e hershme – ose paraklinike – të sëmundjes së Alzheimerit, domethënë përpara se të shfaqen simptomat më të dukshme. Megjithatë, një studim i fundit nga Universiteti i Torontos tregon një tjetër tregues më të saktë të shëndetit të trurit tek të moshuarit, shpejtësinë e të folurit.

Claire Lancaster, Lektore dhe Hulumtuese e Demencës, Universiteti i Sussex-it dhe Alice Stanton, kandidate për doktoraturë në Universitetin e Sussex-it në artikullin e tyre në The Conversation analizojnë gjetjet e një studimi të fundit nga Universiteti i Torontos. Studiuesit e këtij studimi kërkuan 125 të rritur të shëndetshëm, nga mosha 18 deri në 90 vjeç, të përshkruanin një skenë në detaje. Regjistrimet e pjesëmarrësve u analizuan më pas nga softueri i inteligjencës artificiale (AI) për të nxjerrë veçori të tilla si shpejtësia e të folurit, gjatësia e pauzave midis fjalëve dhe shumëllojshmëria e fjalëve të përdorura.

Pjesëmarrësit gjithashtu plotësuan një grup standard testesh që vlerësojnë përqendrimin, shpejtësinë e të menduarit dhe aftësinë për të planifikuar dhe ekzekutuar detyra. Rënia e lidhur me moshën në këto aftësi “ekzekutive” ishte e lidhur ngushtë me ritmin e të folurit të përditshëm të një personi, duke sugjeruar një rënie më të gjerë sesa vështirësi në gjetjen e fjalës së duhur.

Një aspekt i ri i prezantuar nga ky studim i ri ishte përdorimi i një testi të krijuar për të ndarë dy fazat e emërtimit të një objekti: gjetjen e fjalës së saktë dhe udhëzimin e gojës se si ta shqiptojë atë me zë të lartë. Në praktikë, pjesëmarrësve iu treguan fotografi të objekteve të përditshme gjatë dëgjimit të një audioklipi të një fjale që lidhej ose me kuptimin e saj ose tingëllonte e ngjashme nga ana zanore.

Demenca: Ndryshimet e të folurit që “japin” llojin e sëmundjes

Demenca: Shenjat e rrezikut 9 vite më parë

Interesante është se studimi zbuloi se shpejtësia natyrale e të folurit të të moshuarve lidhej me shpejtësinë e emërtimit të fotografive. Kjo nënvizon se një ngadalësim i përgjithshëm i përpunimit mund të jetë në themel të ndryshimeve më të gjera njohëse dhe gjuhësore me kalimin e moshës, në vend të një sfide specifike në rikthimin e kujtesës për fjalët.

Siç theksojnë dy ekspertët, megjithëse testi i përdorur nuk pasqyron saktë kompleksitetin e fjalorit në një bisedë të pastrukturuar të përditshme, studimi në përgjithësi dëshmon se, në hetimin e rënies njohëse, nuk është vetëm ajo që themi që ka rëndësi, por edhe sa shpejt e themi. Për më tepër, studimi aktual ofron një qasje sistematike dhe të drejtuar nga të dhënat që tregon për të ardhmen, pasi përdorimi i teknologjive të reja në përpunimin e gjuhës natyrore do të mundësojë zbulimin automatik të ndryshimeve gjuhësore, siç është ngadalësimi i shpejtësisë së të folurit.

Prandaj, studimi thekson potencialin e ndryshimeve të ritmit të të folurit si një shënues i rëndësishëm por delikat i shëndetit kognitiv, i cili mund të ndihmojë në identifikimin e individëve me rrezik më të madh, përpara se simptomat më të rënda të bëhen të dukshme./BalkanWeb