Ushtrimi i praktikës së dyfishtë është një pikënisje që po ndikon në formësimin e politikave të reja shëndetësore për qytetarët dhe financiare për mjekët specialistë të shërbimit ambulator në sistemin publik.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e cila vizitoi Spitalin Rajonal Memorial Fier, bëri të ditur se implementimi prej një muaj i praktikës së dyfishtë, për pacientët jashtë sistemit të referimit, ka ndikuar pozitivisht në fuqizimin e marrëdhënies së re mjek-pacient dhe pacient-mjek.

“125 qytetarë kanë kryer konsulta të specializuara nga mjekët specialist të spitalit, të cilët po e ushtrojnë këtë praktikë jashtë orarit zyrtar të punës. Përshtypjet e qytetarëve, përvojat e tyre nga ky model i ri shërbimi, tregon rritjen e kënaqësisë së tyre”, tha Koçiu.

Ministrja vuri në dukje se çdo qytetar, jashtë sistemit të referimit, duke shfrytëzuar teknologjinë, mund të planifikojë dhe të përzgjedhë datën, orën e një konsulte të specializuar me mjekun specialist që dëshiron, duke garantuar kështu, vijoi Koçiu, uljen e kohës së pritjes dhe një shërbim në kohë, në orare të favorshme për ta.

“Nëse unë jam një pacient dhe kërkoj të kryej një konsultë të caktuar me një mjek unë mund ta zgjedh lehtësisht në faqen online të Spitalit Rajonal Memorial të Fierit dhe të rezervoj orarin. Qytetari merr një e-mail ku i konfirmohet orari i vizitës”, shpjegoi ministrja.

Mjekët e Spitalit Rajonal Memorial të Fierit shpjegojnë se edhe për pacientët është një mundësi e mirë pasi nëse ata nuk mund të vijnë gjatë orarit të punës mund të marrin shërbimin mjekësor pas orarit të punës me mjekun që dëshirojnë duke kryer ekzaminimin e duhur dhe përcaktuar diagnozën./ata