Porti i Sarandës ka pritur gjatë kësaj jave kroçera të përmasave të vogla me turistë nga vende të ndryshme të botës.

Drejtori i portit të Sarandës, Alket Qendro tha për ATSH-në se “në nga 1-11 prill në portin e qytetit bregdetar kanë mbërritur 5 kroçera me rreth 300 turistë nga vende të ndryshme”.

“Vetëm gjatë kësaj jave kroçera “Mv Hebridean Sky” e kompanisë Noble Caledonia vizitoi për herë të parë Sarandën me 98 turistë kryesisht me kombësi angleze, suedeze, irlandeze, kanadeze, australiane. Kjo kroçerë e ndërtuar në vitin 1991 ka një gjatësi prej 90.36 metra, gjerësi 15.30 metra dhe tonazh 4200GT. Ka 5 kate për pasagjerë dhe 59 kabina me një kapacitet maksimal prej 120 turistë. Kroçera “MS Hebridean Sky” lundroi nën flamurin e Bahamasit”, tha Qendro.

Sipas tij turistët vizituan Parkun Arkeologjik të Butrintit, qytetin e Gjirokastrës dhe Syrin e Kaltër.

Ndërsa të premten Sarandën e vizituan dy kroçera “Athena dhe “Arethusa”.

“Këto dy kroçera rikthehen për të disatën herë në brigjet e qytetit të Sarandës”, tha Qendro.

Ai shtoi se fluksi i turistëve që vijnë me kroçera vazhdon të rritet.

Sa i përket numrit të pasagjerëve që kanë hyrë me tragete, Qendra tha se “nga 1- 11 prill 4400 pasagjerë kanë hyrë e kanë dalë nga porti i Sarandës”.

“Ndërsa si tremujor, në periudhën janar-mars, numri pasagjerëve është 79% më i lartë se e njëjta periudhë e 2023.Konkretisht 10 193 pasagjerë kanë hyrë e kanë dalë në janar-mars 2024 dhe 6643 pasagjerë kanë hyrë dhe dalë në të njëjtën periudhë të 2023”, shtoi Qendro.

Për vitin 2024 porti i Sarandës deri tani është rezervuar nga 43 kroçera. Porti Detar, Komisariati i Policisë Kufitare, Kapiteneria dhe Dogana Sarandë kanë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e sezonit të ri turistik. Nga Saranda drejt Korfuzit është shtuar numri i trageteve dhe linjave, ku janë dhe dy kompani të reja që do të operojnë këtë vit.

Vitin e kaluar kroçerat mbërritën në portin e Sarandës deri në muajin nëntor, ku turistë të kombësive të ndryshme, angleze, kanadeze, holandeze vizituan qytetin e lashtë të Butrintit, Gjirokastrën dhe sitet e tjera arkeologjike rreth Sarandës.

Qyteti i Sarandës njihet për plazhet mahnitëse dhe ujin si kristal. Përveç diellit e plazhit, Saranda veçohet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit nxit kureshtjen e turistëve të shumtë me historinë e tij mijëravjeçare./ata