Potenciali turistik i Shqipërisë si një vend mesdhetar rrethuar me bregdet dhe male u prezantua më 12-13 prill në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Prishtinë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot në një postim në rrjetet sociale se “të gjitha shijet e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Prishtinë që po kthehet në traditë të bukur për kryeqytetin e Kosovës”.
“Promovojmë më të mirat ndër veti me ftesën e përhershme për mysafirët nga Kosova që të shijojnë bregdetin tonë dhe krejt ofertën turistike gjithëvjetore, por edhe të hapim rrugë të reja bashkëpunimi për t’iu prezantuar tregjeve më të mëdha si një destinacion i vetëm nga Shqipëria në Kosovë me krenarinë e natyrës e kulturës sonë”, theksoi Kumbaro.
Agjencia Kombëtare e Turizmit prezantoi gjithashtu në panair arritjet e Aplikacionit TEA, që premton të rrisë shërbimet këtë vit për të vijuar të prijë udhëtimet drejt atraksioneve të bukura të Shqipërisë.
Ky panair ndërkombëtar i turizmit shërbeu po ashtu si një qëllim jetik për Prishtinën dhe në qendër të vëmendjes ka potencialin e madh dhe të gjerë që ka Kosova, si një destinacion turistik i pasur me kulturë, me histori, bukuri natyrore mbresëlënëse.
Ky panair nxiti gjithashtu bashkëpunimin mes subjekteve turistike në rajon.
Në panair morën pjesë mbi 300 kompani nga më shumë se 15 shtete. Panairi u organizua nga Unioni i Turizmit të Kosovës dhe nën kujdesin e Komunës së Prishtinës./ata