Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit ka thirrur ambasadorët e Mbretërisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë për “pozicionet e papërgjegjshme” në lidhje me sulmet hakmarrëse të Teheranit kundër Izraelit.

Në një deklaratë të publikuar në mediat sociale, ministria iraniane tha se ambasadorët e tre vendeve evropiane u thirrën për “pozicionet e papërgjegjshme në një seri veprimesh” nga Izraeli kundër shtetasve iranianë.

Ministria i referohej sulmit të fundit në ndërtesën e konsullatës iraniane në Damask, i cili rezultoi në vrasjen e shtatë zyrtarëve ushtarak iranianë, duke përfshirë dy gjeneralë të lartë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).

Në përgjigje të sulmit të konsullatës, mbrëmë forcat ajrore të IRGC-së lëshuan një breshëri dronësh dhe raketash në Izrael, duke përshkallëzuar tensionet midis dy vendeve.

Kryeministri britanik, Rushi Sunak, në një postim në platformën sociale X dënoi sulmin ndaj Izraelit, duke e quajtur atë “të pamatur” dhe u zotua për mbështetje të Tel Avivit.

Ndërkohë, ministri francez i Punëve të Jashtme, Stephane Sejourne, kritikoi sulmin duke theksuar se Irani “ka arritur një nivel të ri në aktet e tij të destabilizimit dhe po rrezikon një përshkallëzim ushtarak”.

Gjithashtu edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, dënoi sulmet e paprecedentë të Iranit ndaj Izraelit “në termat më të fortë të mundshëm”, duke e cilësuar sulmin “të papërgjegjshëm dhe të pajustifikueshëm”.

Para sulmit, shumë zyrtar perëndimor telefonuan ministrin iranian të Punëve të Jashtme, Hossein Amir-Abdollahian, duke bërë thirrje për përmbajtje dhe de-përshkallëzim.

Zyrtarët iranianë e justifikuan sulmin me të dërguarin e vendit e vendit në OKB, Saeid Iravani, duke theksuar se ishte në përputhje me nenin 52 të Kartës së OKB-së.

Gjenerali Mohammad Bagheri, shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura iraniane, sot në mëngjes paralajmëroi Izraelin dhe SHBA-në kundër sulmeve të mëtejshme ndaj Iranit. Bagheri tha se përgjigja nga Irani do të jetë e “ashpër”./aa