Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) ka dënuar "terrorin sistematik" që kolonët e paligjshëm hebrenj zbatojnë nën mbrojtjen e ushtarëve izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar.
OBI ka bërë një deklaratë me shkrim pas sulmeve të kryera nga ushtarët izraelitë dhe kolonët e paligjshëm hebrenj ndaj palestinezëve në rajone të ndryshme të Bregut Perëndimor të pushtuar. Në deklaratë dënohet terrori dhe sulmet sistematike që kolonët e paligjshëm hebrenj kryejnë nën mbrojtjen e ushtarëve izraelitë ndaj palestinezëve.
Në sulme kanë humbur jetën dhe janë plagosur shumë palestinezë, thuhet në deklaratën në të cilën bëhet e ditur se këto janë një vazhdim i sulmeve dhe armiqësisë së Izraelit ndaj popullit palestinez, të cilat shkelin qartë të drejtën humanitare ndërkombëtare.
Ndër të tjera kërkohet që Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) dhe komuniteti ndërkombëtar të marrin përgjegjësi për të siguruar mbrojtje ndërkombëtare për popullin e Palestinës dhe të garantojnë përfundimin e sulmeve të Izraelit ndaj popullit palestinez në Gaza, Bregun Perëndimor dhe në Kuds.
Gjithashtu në deklaratë kërkohet që izraelitët të gjykohen për krimet e tyre të kryera kundër popullit, territoreve dhe vendeve të shenjta të Palestinës. Ministria palestineze në një deklaratë më parë vuri në dukje se që nga 12 prilli, 4 palestinezë janë vrarë dhe 60 të tjerë janë plagosur në sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve të paligjshëm hebrenj.
Që nga nata e 12 prillit e deri më tani kolonët hebrenj kanë rritur sulmet e tyre kundër palestinezëve në shumë pika në Bregun Perëndimor. Kolonët e paligjshëm hebrenj kanë sulmuar fshatrat dhe qytezat e palestinezëve si dhe kanë djegur shumë automjetet të tyre kryesisht në fshatin Al-Mughayyir.
Në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar jetojnë rreth 700 mijë kolonë hebrenj. Sipas ligjit ndërkombëtar njësitë e vendbanimeve hebreje në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor konsiderohen të paligjshme.
Kolonët hebrenj që banojnë në këto vendbanime e vështirësojnë edhe më shumë jetën e palestinezëve që jetojnë nën pushtim në Bregun Perëndimor./aa