Raportohet se Izraeli ka arrestuar të paktën 5 mijë palestinezë që nga 7 tetori, kur filloi sulmet në Rripin e Gazës.

Zyra për Media e Qeverisë në Gaza ka publikuar një deklaratë me shkrim me rastin e 17 Prillit, Ditës së të Burgosurve Palestinezë.

Në deklaratë thuhet se sivjet Dita e të Burgosurve u zhvillua në “kushte lufte” dhe se Izraeli gjatë kësaj periudhe ka arrestuar më shumë se 5 mijë palestinezë në Rripin e Gazës.

Në deklaratë thuhet se numri i palestinezëve të ndaluar në Gaza dhe numri i të burgosurve në burgjet izraelite ka arritur në 10 mijë, si dhe se palestinezët e ndaluar u janë nënshtruar torturave dhe shkeljeve të ndryshme në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare.

Në deklaratë i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar të marrë përgjegjësi ligjore, humanitare dhe morale.

Në deklaratën e mëparshme të Komitetit Palestinez të të Burgosurve, thuhej se qendrat e paraburgimit dhe burgjet izraelite "u kthyen në një thertore të plotë" pas 7 tetorit dhe se u aplikuan të gjitha llojet e torturave dhe rrahjeve.

Që nga 7 tetori, kur ushtria izraelite filloi sulmin e saj në Rripin e Gazës, ka pasur një rritje të ndalimeve, bastisjeve dhe sulmeve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor. Njoftohet se numri i palestinezëve të ndaluar në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor që nga 7 tetori është rritur në 7.630.

Këshilli Kombëtar i Palestinës, i lidhur me PLO, shpalli 17 Prillin si "Ditën e të Burgosurve Palestinez" në 1974. Palestinezët përpiqen ta sjellin çështjen e të burgosurve në agjendën botërore duke organizuar çdo vit ngjarje, aksione dhe simpoziume të ndryshme në këtë datë./aa