Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu inspektoi sot punimet për rikonstruksionin e Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave, një investim kyç për infrastrukturën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimin Shkencor.

Rikonstruksioni i dy godinave ekzistuese të Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave në Universitetin Politeknik të Tiranës (UPT), njëra prej të cilave është monument kulture, si dhe ngritja e Muzeut të Gjeologjisë është pjesë e një investimi strategjik, synimi i të cilit është ofrimi i kushteve më të mira për studentët, stafin akademik dhe përmirësimi i strukturës laboratorike.

“Universiteti Politeknik i Tiranës po përfiton mbështetje nga qeveria shqiptare përmes një serie investimesh që synojnë përmirësimin e infrastrukturës. Kjo përfshin jo vetëm hapësirat mësimore, por edhe laboratorët. Aktualisht, janë në zhvillim dy projekte të mëdha në bashkëpunim me Universitetin Politeknik. Këto përfshijnë rehabilitimin dhe rindërtimin e Fakultetit të Arkitekturës dhe Inxhinierisë, i cili do të përfitojë nga një ndërtesë krejtësisht e re dedikuar për nevojat e fakultetit. Po ashtu, po bëhet rindërtimi dhe rehabilitimi i Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave. Një buxhet prej 600 milionë lekësh është alokuar për këto projekte madhore. Qëllimi është të përfundojmë këto projekte sa më shpejt të jetë e mundur, ndoshta edhe para afatit të parashikuar. Shpresojmë të ndërmarrim edhe më shumë projekte të rëndësishme së bashku, të cilat do të kontribuojnë në kërkimin shkencor dhe përdorimin e teknologjive të reja”, theksoi Manastirliu.

Për më tepër, vijoi ministrja, po punojmë për të themeluar një laborator të ri kërkimi shkencor me financimin e qeverisë shqiptare, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.

“Po ashtu, jemi duke vlerësuar fazën e re të projekteve për vitet 2024-2025, të fokusuara në kërkimin shkencor”, tha Manastirliu.

Projekti parashikon jo vetëm rikonstruksionin dhe restaurimin e ndërtesave ekzistuese, të pajisura me laboratorë të avancuara, salla leksionesh dhe seminaresh, por edhe ndërtimin e një muzeu modern të Gjeologjisë.

Kjo ndërtesë e re do të ofrojë hapësira muzeale, bibliotekë me ambientet e saj të studimit, auditorë dhe ambiente teknike, duke kontribuar në nxitjen e studimit dhe kërkimit shkencor në fushën e gjeologjisë.

Ky investim, që do t’i shërbejë 1850 studentëve dhe 109 pedagogëve dhe stafit administrativ, është vetëm një pjesë e një programi më të gjerë që synon përmirësimin e infrastrukturës mësimore dhe shkencore në arsimin e lartë në Shqipëri. Për këtë qëllim, me buxhetin e këtij viti, do të investohen 1.5 miliardë lekë në përmirësimin e infrastrukturës akademike, ndërkombëtarizimin dhe kërkimin shkencor./ata