Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kujtoi përmes aktiviteteve 556-vjetorin e ndarjes nga jeta të Gjergj Kastriot Skëndërbeut.
Ne mjediset e QKLL u çel një ekspozitë me botime të rralla mbi Skëndërbeun, një prej të cilave, “Historia e Skënderbeut” nga Fan Noli, botimi i parë, i vitit 1921.
Historianët Ferit Duka dhe Nevila Nika sollën në fjalën e tyre përmasat botërore të kësaj figure të rëndësishme, jo vetëm për Europën, si një simbol i përjetshëm i lirisë njerëzore.
Gjatë këtij takimi u promovua dhe Bibliografia “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në veprat e autorëve shqiptarë”, me autor Hysen Dizdari si dhe u hap një ekspozitë me botime në kohë mbi këtë figurë. Bibliografia fillon në vitin 1480 dhe përfundon në muajin shtator të vitit 2023. Objektivi themelor i kësaj bibliografie është përshkrimi i librave historikë, librave letrarë e artistikë, biografive, albumeve, katalogëve të ndryshëm kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, të shkruara në gjuhën shqipe dhe të huaj nga autorë me etni dhe origjinë shqiptare. Kjo bibliografi i bashkohet veprave të tjera në këtë gjini mbi figurën e Skënderbeut të shkruara nga bibliografë të shquar si :prof. Gjergj Prekazi, Dhimitër Shuteriqi, Palok Daka, Jup Kastrati, Isak Shema, Ibrahim Rugova, Maksim Gjinaj, Etleva Domi, Willy Kasmi, etj./ata