Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi sot projektligjin “Për ofruesin e shërbimeve të lundrimit ajror “Albcontrol””.
Zëvendësministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Enkelejda Muçaj bëri të ditur se objektivi kryesor i këtij projektligji është organizimi i “Albcontrol”-it në formën e një enti publik të pavarur, jobuxhetor, jofitimprurës, i cili vepron në interes publik dhe ofron shërbimet e lundrimit ajror në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, sipas parashikimeve të konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën e aviacionit civil, të ligjit, “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”, si dhe të akteve nënligjore të miratuara në zbatim të tyre.
Muçaj ju përgjigj edhe interesit të deputetëve për mbështetjen financiare që qeveria i ka akorduar “Albcontrol”-it në dhjetor të vitit të shkuar.
Sipas saj, mbështetja nga ana e qeverisë ka të bëjë me likuiditetin në një moment të caktuar, por kjo nuk ka lidhje me qëndrueshmërinë financiare të kompanisë. Përmes kësaj mbështetjeje rrisim nivelin e garancisë në lidhje me shërbime të karakterit të veçantë, që prekin sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Ajo theksoi se kompania është në gjendje të mirë financiare.
Kjo shoqëri, vuri në dukje Muçaj, performon në mënyrë fantastike edhe për shkak të zhvillimit të sektorit.
“Shoqëria ka mirëqenie financiare dhe të ardhura të rritura në mënyrë substanciale në kohë. Është një entitet që ndërkohë për shkak të llojit të shërbimit kërkon kapacitete, deri te qartësia psikologjike, për shkak të trafikut dhe rritjes së intensitetit të lundrimit ajror, që kërkon njerëz me kapacitete dhe që kanë nevojë për trajnime që të sigurojnë Shqipërinë, integritetin fizik të avionëve dhe shtetasve që kalojnë hapësirën ajrore shqiptare”, shtoi ajo.
Muçaj, po ashtu, mohoi që asetet e kompanisë të jenë bllokuar për shkak të çështjes “Becchetti”.
“Çfarëdo lloj ndërlidhje, konfirmoj që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk ndodhet sot në asnjë proces dhe vetë “Albcontrol” nuk ndodhet në asnjë lloj konflikti me asnjë shtetas të Republikës së Shqipërisë, apo shtetas ndërkombëtar”, deklaroi Muçaj./ata