Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi sot një seancë dëgjimore me kandidaturat e propozuara nga komisioni përzgjedhës për kryetar dhe anëtarë të Bordit të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), që janë: Petrit Ahmeti, kryetari aktual i ERE, si dhe Lorenc Kosta, Maksim Shuli e Artuar Llakaj.
Relatori i dëgjesës Baftjar Zeqaj u shpreh se kandidaturat për kreun e ERE dhe për anëtarë të bordit që ka paraqitur ekipi përzgjedhës, plotësojnë të gjitha kriteret e nevojshme.
Në prezantimin e tij Petrit Ahmeti, i cili kandidon përsëri për një mandat të tretë për kreun e ERE, tha se në katër vitet e fundit ka pasur një rritje të nivelit profesional, pasi një ent rregullator merr shumë vendime të rëndësishme për tregun e energjisë elektrike.
“Çdo vendimmarrje dhe çdo hapësirë ligjore që kemi, ka në fokus mbrojtjen e interesit të konsumatorit. Kemi influencuar shumë edhe në reformën tarifore gjatë viteve, duke e unifikuar atë. Drejtime të rëndësishme në punën tonë është zhvillimi i tregut të energjisë elektrike, diversifikimin e burimeve të energjisë”, tha Ahmeti.
Ahmeti bëri të ditur se, në prioritet për të ardhmen është përshtatja e legjislacionit sipas BE-së në fushën energjetike së gjelbër, bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare si dhe krijimi shkollës së Energjisë të Ballkanit, që do ti shërbej transferimit të dijeve mes stafeve të rregullatorëve nga këto vende.
Ndërsa Lorenc Kosta në prezantimin e tij për kandidat të kreut të ERE tha se, pretendimet e tij do të jenë në fokusimin e detajeve për të rritur më tej epërsinë e sektorit elektroenergjetik.
“Ky sektor është i ndërtuar në disa hallka. Prodhimi i energjisë, sot ka arritur në një kapacitet të instaluar prej 2700 megavat, bazuar kryesisht në burimet hidrike, ndaj fokus të veçantë merr diversifikimi i burimeve të energjisë. Sektor tjetër është ai i transmetimit, i përbërë nga 3500 km linja, 15 nënstacione, me një fuqi 4620 megavat. Pjesë e rëndësishme janë dhe linjat e interkonjuksionit, ku vendi ynë ka linja të tilla me Kosovën, Malin e Zi, Greqinë dhe në proces është ajo me Maqedoninë e Veriut”, u shpreh ai.
“Po punojmë për të implementuar planin afatgjatë të investimeve në sistemin e transmetimit, me fokus rritjen e kapaciteteve interkonjuktive, me objektiv rritjen e eksporteve kur kemi pluse”, theksoi Ahmeti, teksa u ndal në sistemin e shpërndarjes së energjisë që përfaqësohet nga 65 765 linja të tensionit të mesëm dhe të ulët dhe 26 mijë kabina të shpërndarje së energjisë elektrike.
Kandidati Kosta theksoi se, investimet e kanë sjellë sektorin në një stad të tillë që nuk flitet më për ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të performacës së dobët, por sfida sot është shpërndarja e energjisë sipas standardeve më të mira dhe me cilësi.
Dëgjesa vazhdoi me prezantimet edhe të dy kandidatëve për anëtarë të bordit të ERE, Maksim Shuli dhe Artur Llakaj.
Kandidaturat e paraqitura do t’i kalojnë për votim në Kuvend në seancë plenare./ata