Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në një intervistë televizive tha se Kreu i Prokurorisë Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Altin Dumani, është mbrojtës i pandëshkueshmërisë së Kryeministrit Edi Rama.

Sipas tij, Dumani ka patur takime edhe me ish agjentin e FBI, Charles McGonigal.

“SPAK-u ka nis hetim në dhjetor 2019, sipas të dhënave të mia edhe pas takimeve të Dumanit me McGonigalin. Dhe pse ka nisur në dhjetor 2019 për një çështje të mbyllur? Sepse ishte koha që Ilir Meta nuk lejonte të pushtohej Gjykata Kushtetuese nga banda e Edi Ramës”, tha Meta.

I pyetur nëse është nën hetim nga SPAK, Meta tha se, “as më interesin fare, SPAK-u gjithashtu është në hetim nga unë. Spaku është në shërbim kriminal të Edi Ramës, sepse bën sikur arreston drejtorë për të mbrojtur kryebashkiakun e Tiranës që të gjithë e dinë që ka rrëmbyer kompetencën e këshillit bashkiak. Ta harrojë SPAK-u tarallaku se mund të marrë peng Partinë e Lirisë me presione dhe duke kapur peng ndonjë “laraskë””, theksoi Meta.

Meta gjatë intervistës së tij ka rrëfyer dhe dhunën e ushtruar ndaj djalit të tij 17-vjeçar në Berat dhe Fier.

“Vajta në Lezhë dhe më ndiqnin bandita, në Berat më rrëmbyen çunin 17 vjeç, ma rrëmbyen bandat e Beratit, u shkova atje në fole ku e kishin ata dhe e liruan. Vajta në Fier i ranë çunit 17 vjeç me lopatë në kurriz ata. Ato mandate u morën me gjak dhe me sakrifica”, u shpreh Meta./ata