Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “lufta me korrupsionin duhet të vazhdojë në të gjitha nivelet”.

Në një intervistë televizive, kryeministri Rama u pyet mbi zyrtarët e hetuar nga SPAK për korrupsion.

“Ky është një proces 10-vjeçar dhe këtu bëhet fjalë, se nuk dua fare t’i përmend ata njerëz sepse janë në hallet e tyre, dhe kanë mbaruar punë me mua dhe politikën dhe publikun, por bëhet fjalë për një numërim të caktuar që fillon ditën e parë, një. E dyta, pjesa më e madhe ose mos të tërë, kur kanë filluar të kenë probleme me drejtësinë, kanë qenë të larguar nga qeveria”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se kur vjen puna për qeverinë, është shumë i vëmendshëm dhe ka bërë ndryshime të vazhdueshme në qeveri.

“Iu kam dhënë mesazhet e mia shumë të qarta të gjithëve. Kam dhënë mesazhe të qarta edhe me lëvizjet e qeverisë, edhe me veprimet të tjera që jo gjithmonë kanë qenë të lidhura me çështje që kanë pasur të bëjnë me shqetësime të kësaj natyre dhe nga ana tjetër kemi vijuar të bëjmë reformim dhe ristrukturim dhe për këtë flasin shifrat. Vetëm numri i shërbimeve online që bëhen sot, tregon se sa shumë është ulur niveli i korrupsionit në marrëdhënien direkte qytetar-shtet një herë, vetëm ajo. E dyta, po të shikosh numrin e prokurimeve publike, po të shikosh shpërndarjen e fondeve publike me prokurime publike përsëri ka një shpërndarje shumë më të madhe në shumë më tepër duar të fondeve publike që tregon që ka shumë më tepër transparencë, shumë më tepër garë etj etj. Të gjitha këto janë procese, janë shtetndërtim, nëse do ishin të thjeshta, nëse do bëheshin menjëherë”, tha ai.

Kryeministri theksoi se “lufta me korrupsionin duhet të vazhdojë në të gjitha nivelet, kjo nuk diskutohet”.

“Që lufta kundër korrupsionit duhet të thellohet, kjo nuk diskutohet, që kur ka ngjarje të tilla njerëzit duhet të ndjehen të çliruar që u lehtësua një peshë që e kemi pasur në kurriz edhe që na ka rënduar edhe që nuk e kemi identifikuar dhe jo të krijohet e gjithë kjo zallamahi, por kësaj zallamahisë nuk kemi çfarë i bëjmë është pjesë e jetës politike”, shtoi ai./ata