Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla uroi sot pedagogët e studentët e Universitetit “Hasan Prishtina” në 53-vjetorin e themelimit të Universitetit.

 

Në mesazhin e saj, Nikolla shkruan se “më 15 shkurt 1970 u mbajt mbledhja themeluese e Universitetit të Prishtinës, sot Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

 

Universiteti i Prishtinës ka përgatitur, edukuar e inspiruar dhjetëra breza studentësh, të cilët i kanë shërbyer e i shërbejnë zhvillimit, ekonomisë, kulturës dhe shoqërisë në Kosovë si edhe kombit shqiptar.

 

“Si një institucion i rëndësishëm i albanologjisë, shkencave, teknologjisë dhe mendimit politik, shoqëror e shkencor shqiptar, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është sot qendër e rëndësishme e vetëdijes kombëtare, kontribues i rëndësishëm në integrimet evro-atlantike. Suksese pedagogëve e studentëve të Universitetit “Hasan Prishtina” në kontributin për zhvillimin dhe përparimin e Kosovës!”, shkruan Nikolla./ATSH