Kryetari i Komunës së Prishtinës, ka pritur kryetaren e Sarajevës, Benjamina Kariq, e cila po qëndron në kryeqytetin kosovar për vizitë zyrtare.

Kryetari Rama tha se me kryetaren Kariq biseduan për bashkëpunimin në sfera të ndryshme nisur nga arti dhe teknologjia, ndërsa paraprakisht ecën së bashku në sheshet e Prishtinës ku edhe bënë një bashkëbisedim.

“Ecëm bashkë shesheve të Prishtinës, dhe i tregova për kulturën, historinë dhe trashëgiminë e pasur kulturore të kryeqytetit tonë”, shkroi Rama.

Tutje, ai tha se kryetares së Sarajevës i bënë përshtypje “gjallëria dhe mikpritja e veçantë kosovare”.

Kryetari Rama i dha homologes së tij simbolin e Komunës së Prishtinës, “Hyjneshën në Front”.

Kryetarja Kariq u shpreh se ishte kënaqësi dhe nder ta vizitojë Prishtinën, duke shtuar se Prishtina dhe Sarajeva janë qytete të njëjta, ndërsa tha se është hera e parë që vjen në Prishtinë.

“Unë e pashë se qytetarët e Prishtinës dhe Sarajevës kanë shumë të përbashkëta, nisur nga tradita dhe nga ky takim sot ne do të ndajmë bashkëpunimin tonë në sfera të ndryshme, në art, sport”, theksoi Kariq.

Kariq është shprehur e interesuar për më shumë bashkëpunim mes dy kryeqyteteve në fusha të ndryshme./aa