Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin ka shprehur shqetësim për sulmet e Izraelit ndaj pozicioneve të Forcave të Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL) në Libanin jugor gjatë një bisede telefonike të shtunën me ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant.

Sulmet izraelite këtë javë plagosën të paktën pesë paqeruajtës të OKB-së dhe dy ushtarë libanezë.

Austin “shprehu shqetësimin e tij të thellë në lidhje me raportet se forcat izraelite qëlluan mbi pozicionet paqeruajtëse të OKB-së në Liban, si dhe për vdekjen e raportuar të dy ushtarëve libanezë”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Pentagonit Pat Ryder.

“Sekretari theksoi fuqimisht rëndësinë e garantimit të sigurisë së forcave të UNIFIL-it dhe Forcave të Armatosura Libaneze dhe rinënvizoi nevojën për të kaluar nga operacionet ushtarake në Liban në një rrugë diplomatike sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në deklaratë.

Sekretari i Mbrojtjes ka përmendur gjithashtu situatën e rëndë humanitare në Rripin e Gazës gjatë telefonatës dhe ka theksuar se duhet të ndërmerren hapa për ta trajtuar atë.

Izraeli ka kryer sulme masive ajrore në gjithë Libanin që nga 23 shtatori kundër atyre që ai pretendon se janë objektiva të Hezbollahut, duke vrarë të paktën 1.437 njerëz, duke plagosur mbi 4.123 të tjerë dhe duke zhvendosur më shumë se 1,34 milion njerëz.

Fushata ajrore është përshkallëzim i luftës njëvjeçare ndërkufitare midis Izraelit dhe Hezbollahut që nga fillimi i ofensivës në Rripin e Gazës tetorin e vitit të kaluar, në të cilën Izraeli ka vrarë afro 42.200 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare se Lindja e Mesme ishte në prag të një lufte rajonale mes sulmeve brutale të Izraelit ndaj Gazës dhe Libanit, Tel Avivi e zgjeroi konfliktin më 1 tetor duke nisur një inkursion tokësor në Libanin jugor./aa