Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro po merr pjesë sot në konferencën ndërkombëtare “Oqeani ynë”, një takim shumë i rëndësishëm për të ardhmen e shëndetshme të planetit, që po zhvillohet në Athinë, Greqi.

Përmes një videomesazhi nga Athina, Kumbaro u shpreh se Shqipëria, si një vend që nuk ndot në shkallë globale, prezanton në këtë konferencë nismat dhe modelin e saj.

“Ndodhem në Athinë me ftesë të ministrit grek të Mjedisit dhe të Energjisë si dhe të ministrit të Jashtëm në kontekstin e një konference të madhe botërore ‘Oqeani ynë’. Shqipëria nuk laget nga oqeanet, por laget nga dy detet të cilat derdhen në Mesdhe dhe më tej derdhen sigurisht në oqeanet e planetit tonë”, tha Kumbaro.

Edhe pse Shqipëria nuk e ndot oqeanin, Kumbaro theksoi se ka mundësinë të japë modelin e vogël në drejtim të ruajtjes së mjedisit.

Ministrja nënvizoi se aktualisht Shqipëria po zbaton projekti me Bankën Botërore për sistemin e pastrimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura që derdhen në Vjosë.

“Kemi projektet e ekonomisë qarkulluese për menaxhimin e mbetjeve, si dhe nxisim modelin e ekoturizmit dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, shtoi ajo.

Kumbaro theksoi se puna ka filluar me Vjosën, tashmë e shpallur Park Kombëtar dhe jo vetëm kaq, se nuk mjafton ta hedhim në letër.

“Me dy projekte të mëdha: menaxhimi i mbetjeve në qarkun e Gjirokastrës dhe projekti me Bankën Botërore për gjithë sistemin e ujërave të ndotura që derdhen në Vjosë, janë kontribut jo vetëm për Shqipërinë, por dhe një model se si kur kujdesemi për përrenjtë, lumenjtë detet, mund të kujdesemi edhe për oqeanet”, tha Kumbaro.

Ministrja theksoi se Shqipëria nuk ndot asnjë vend, megjithatë është një rast më shumë për të folur për ekoturizmin, për zhvillimin e qëndrueshëm./ata