Specialistët e Zonave të Mbrojtura zhvillojnë me përkushtim orë të edukimit mjedisor në shkollat e mesme dhe 9-vjeçare, në klasa e në terren, si një ndër mënyrat më të mira për t’i rritur fëmijët me dashurinë për natyrën.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga aktiviteti i nxënësve në shtegun “Diga e Bovillës – Shpella e Gamtit”, pjesë e Parkut Kombëtar Dajt.

“Orët mjedisore në natyrë janë një mundësi fantastike që nxënësit e shkollave të njihen me pasuritë natyrore e potencialet turistike të zonës ku jetojnë, por edhe të vetëdijësohen për ta dashur e për t’u kujdesur më shumë për pyjet, lumenjtë e liqenet”, shkruan Rama.

Nëpërmjet prezantimeve, videove, aksioneve për mbjellje dhe pastrim, si dhe lojërave të ndryshme të rinjtë angazhohen në njohjen dhe ruajtjen në mënyrë sa më cilësore të biodiversitetit dhe mjedisit të përbashkët.

Temat e orëve të hapura mjedisore që po zhvillohen janë problemet mjedisore, të cilat ndikojnë negativisht në zhvillimin e turizmit, si ndotja nga mbetjet urbane..etj. Edukimi i  brezit të ri shërben që ata të konceptojnë jo thjesht që duhet të pastrojnë mbeturinat e të bëjnë aksione, por të kuptojnë çdo të thotë të vlerësosh burimet natyrore, t’i kursesh ato dhe për brezat e ardhshëm./ata