Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në një bisedë telefonike me presidentin e Iranit, Ebrahim Raisi, diskutoi situatën në Lindjen e Mesme.
Sipas një deklarate nga Kremlini, njoftohet se Putin zhvilloi bisedën telefonike me Raisin me kërkesë të palës iraniane.
Gjatë bisedës, ku është diskutuar "situata në Linden e Mesme pas sulmit të Izraelit ndaj përfaqësisë diplomatike të Iranit në Siri dhe marrja e masave të Iranit", presidenti rus Putin ka ndarë shpresën e tij se "të gjitha palët do të tregojnë vetëpërmbajtje dhe nuk do të lejojnë tension të ri i cili do të mund të shkaktojë pasoja katastrofike për gjithë rajonin".
Ndërkaq, presidenti iranian Raisi ka theksuar se "këto veprime të Iranit janë të detyruara dhe të kufizuara dhe nuk janë pro rritjes së tensioneve në të ardhmen".
Në bisedë, dy liderët kanë theksuar se "mosgjetja e zgjidhjes për krizën Palestinë-Izrael shkakton incidente në Lindjen e Mesme" dhe kanë deklaruar pozicionet e tyre parimore në drejtimin që "Rusia dhe Irani të krijojnë kushtet e nevojshme për sigurimin e armëpushimit urgjent në Rripin e Gazës, lehtësimin e situatës së vështirë humanitare dhe që kriza të zgjidhet me rrugë politike dhe diplomatike".
Ndër të tjera, dy liderët kanë trajtuar edhe marrëdhëniet mes Rusisë dhe Iranit, ndërsa është nënvizuar rëndësia për zhvillimin e bashkëpunimit në të ardhmen në fusha të ndryshme, duke përfshirë edhe zbatimin e projekteve të infrastrukturës./aa