Zyra e Rregullatorit për Energji të Kosovës njoftoi hapjen e ankandit të parë të tregtimit në tregun e ditës në avancë të zonës ofertuese të Kosovës.

Ankandi i parë i përket njësisë së parë kohore të tregut të periudhës 00:00-01:00 më datë 01.02.2024, si data e fillimit të tregut të organizuar të energjisë elektrike në Kosovë, e zhvilluar nga Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike (ALPEX).

ALPEX njoftoi sot anëtarët e bursës se ankandet do të zhvillohen si bashkim tregjesh.

“Njoftohen të gjithë anëtarët e bursës që Ankandet e Ditës në Avancë të Zonës së Ofertimit të Shqipërisë dhe Zonës së Ofertimit të Kosovës, duke filluar prej ditës së Livrimit 01.02.2024 do të zhvillohen si Bashkim Tregjesh”, thuhet në njoftimin e ALPEX.

Bursa Shqiptare e Energjisë ALPEX nisi në prill të vitit të shkuar zyrtarisht tregtimin e energjisë elektrike, duke u bërë bursa e dytë operacionale në rajon.

Me nisjen edhe nga ana e Kosovës të ankandit të parë, realizohet edhe bashkimi i dy tregjeve.

Me nisjen e punës së bursës, prodhuesit privatë të energjisë do të kenë mundësi të konkurrojnë me njëri-tjetrin duke përfituar nga bursa, por duke i dhënë mundësinë edhe industrisë vendase dhe tregut ndërkombëtar për të marrë energji elektrike me çmime sa më të konkurrueshme, e sa më të ulëta.

Aksionerët e ALPEX janë Operatorët e Sistemeve të Transmetimit të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët më 5 tetor 2020, nënshkruan në Prishtinë marrëveshjen për themelimin e ALPEX./ata